TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Korrik 2026, 12:15

Ilir Meta kundërshton mosfillimin e hetimeve nga Prokuroria, kërkon hetim për kallëzimin ndaj punonjësve të paraburgimit 313

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Meta kundërshton mosfillimin e hetimeve nga Prokuroria, kërkon
Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke kundërshtuar vendimin e Prokurorisë për të mos nisur procedim penal ndaj punonjësve të paraburgimit 313.

Ish-presidenti ka ankimuar vendimin për mbylljen e verifikimeve të nisura pas kallëzimit të tij, në të cilin pretendonte shpërdorim detyre nga punonjës të institucionit të vuajtjes së dënimit. Pretendimet e Metës lidhen me mënyrën e trajtimit gjatë qëndrimit në paraburgim, si edhe me kufizimin e komunikimeve.

Pas shqyrtimit të kallëzimit dhe kryerjes së verifikimeve, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos ngarkojë me përgjegjësi penale asnjë person, me argumentin se nuk ishin konstatuar elemente të mjaftueshme për nisjen e ndjekjes penale.

Përmes ankimimit, Meta kërkon që gjykata të rrëzojë vendimin e Prokurorisë dhe të urdhërojë vijimin e hetimeve për çështjen e denoncuar prej tij.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Sahiu, e cila do të vendosë nëse do ta lërë në fuqi vendimin e Prokurorisë së Tiranës apo do të kërkojë kryerjen e hetimeve të mëtejshme.

 

 

Lini një Përgjigje