TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Korrik 2026, 12:09

Shqiptarët në krye të listës për telefonatat nga burgjet britanike, ekspertët: Komunikimet mund të lidhen me grupet e drogës

Shkruar nga Pamfleti

Shqiptarët në krye të listës për telefonatat nga

Të dhënat e publikuara nga Ministria britanike e Drejtësisë kanë rikthyer në vëmendje aktivitetin e të burgosurve të huaj në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas statistikave, komunikimet telefonike të lidhura me shtetas shqiptarë rezultojnë ndër më të lartat krahasuar me kombësi të tjera.

Sipas raportit, telefonatat e lidhura me shtetas shqiptarë kanë arritur në 157,962, ndërsa tetë të burgosur shqiptarë kanë kryer gjithsej 37,307 telefonata, ose mesatarisht rreth 207 telefonata në ditë për person, sipas përllogaritjeve të publikuara nga media britanike "The Telegraph".

Pas Shqipërisë, numrin më të lartë të telefonatave e kanë regjistruar të burgosurit irlandezë me 73,541 telefonata, ndërsa shtetasit amerikanë renditen më pas me 57,867.

Shifrat kanë ngjallur reagime në Britani. Ish-guvernatori i burgjeve dhe ish-këshilltari i qeverisë britanike për ekstremizmin në burgje, Ian Acheson, tha se volumi i komunikimeve të lidhura me të burgosurit shqiptarë meriton vëmendje.

"Krimi i organizuar shqiptar ka një rol të njohur në shpërndarjen e drogës brenda burgjeve. Shkalla e ndikimit të tyre jashtë burgjeve është më pak e qartë, por nuk do të ishte e habitshme nëse disa prej këtyre komunikimeve lidhen me organizimin e veprimtarive kriminale", u shpreh ai.

Deklaratat vijnë në një kohë kur ish-sekretari britanik i Drejtësisë, David Lammy, ka paralajmëruar se drejtues të grupeve kriminale vijojnë të koordinojnë aktivitetet e tyre edhe nga brenda burgjeve. Sipas tij, përdorimi i dronëve për futjen e drogës dhe armëve në institucionet penitenciare është kthyer në një problem në rritje.

Autoritetet britanike kanë deklaruar më herët se shtetasit shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar janë kryesisht të përfshirë në çështje që lidhen me trafikun e drogës dhe vjedhjet. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare Kundër Krimit (NCA) ka vlerësuar se grupet kriminale shqiptare kanë zgjeruar ndikimin e tyre në kultivimin e kanabisit në Britani.

Statistikat u publikuan nga deputeti Nick Timothy, i cili ka kërkuar transparencë më të madhe për kriminalitetin sipas kombësisë.

"Jo të gjitha kombësitë paraqesin të njëjtin nivel rreziku kriminal dhe publiku ka të drejtë të ketë informacion të plotë", deklaroi ai.

Megjithatë, Shërbimi i Burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë thirrje për kujdes në interpretimin e shifrave. Sipas një zëdhënësi, të dhënat nuk provojnë se telefonatat janë kryer nga persona të një kombësie të caktuar apo se lidhen me aktivitete kriminale.

Autoritetet sqarojnë se të gjitha telefonatat nga burgjet lejohen vetëm drejt numrave të miratuar paraprakisht, regjistrohen dhe mund të monitorohen në rastet kur ekzistojnë dyshime për veprimtari të paligjshme. Pagesa e telefonatave kryhet nga vetë të burgosurit.

shqiptare te burgosur britani droge grupe kriminale

Lini një Përgjigje