TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Korrik 2026, 11:56

Fluks rekord në Rinas, Skënder Hita: Kontrolle të shtuara dhe luftë ndaj trafikut ndërkufitar

Shkruar nga Pamfleti
Fluks rekord në Rinas, Skënder Hita: Kontrolle të shtuara dhe
Skënder Hita

Në kulmin e sezonit turistik, kur Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza" po përballet me numrin më të lartë të hyrje-daljeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim të përbashkët për të verifikuar nga afër masat e marra për përballimin e fluksit të pasagjerëve.

Sipas autoriteteve, në Rinas po përpunohen çdo ditë nga 50 mijë deri në 56 mijë pasagjerë, ndërsa strukturat e Policisë Kufitare dhe Doganës janë angazhuar për të garantuar lëvizje të shpejtë, por edhe standarde të larta sigurie.

Gjatë inspektimit, Hita theksoi se fluksi po menaxhohet falë masave organizative dhe teknike të ndërmarra nga Policia Kufitare.

"Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit", u shpreh ai.

Një nga ndryshimet kryesore, sipas kreut të Policisë së Shtetit, është zgjerimi i përdorimit të sistemit automatik të kontrollit kufitar.

"Është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes", tha Hita.

Hita bëri të ditur gjithashtu se janë përmirësuar sistemet teknologjike në pikën kufitare, përfshirë përditësimin e sistemit TIMS dhe zëvendësimin e pajisjeve të kontrollit, me qëllim rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së shërbimit.

Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se, krahas menaxhimit të fluksit të udhëtarëve, prioritet mbetet edhe lufta kundër krimit ndërkufitar.

"Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për të garantuar përpunim të shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve, ndërsa paralelisht vijojnë kontrollet e bazuara në analizën e riskut për goditjen e çdo aktiviteti kriminal", vijoi ai.

Shefi i policisë theksoi se bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

"Bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm, duke garantuar një nivel të lartë sigurie në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas", deklaroi ai.

Gjithashtu, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve gjatë gjithë sezonit veror.

"Policia e Shtetit mbetet plotësisht e përkushtuar për t’i ofruar çdo qytetari dhe turisti siguri, ndihmë dhe shërbim cilësor gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë", përfundoi ai.

Lini një Përgjigje