TAGS-AT E JAVËS

Forum21 Korrik 2026, 13:01

Brukseli nuk u beson më piruetave politike e diplomatike të Vuçiçit!

Shkruar nga Dusan Gajiç
Brukseli nuk u beson më piruetave politike e diplomatike të
Karikatura e 'Danas' /

 

Ndërsa Bashkimi Evropian po i jep një shtysë të re procesit të zgjerimit, duke përshpejtuar negociatat me Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, Serbia vazhdon të mbetet në vendnumëro. Pavarësisht ofensivës diplomatike të Aleksandar Vuçiç dhe përpjekjeve të Beogradit për të bindur partnerët evropianë, mungesa e besimit ndaj reformave dhe orientimit gjeopolitik të Serbisë vazhdon ta mbajë vendin larg përparimit real drejt anëtarësimit...

Rruga evropiane e Serbisë pësoi një tjetër goditje, pasi shtetet anëtare të BE-së nuk arritën konsensus për hapjen e Grupit 3 të negociatave, që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.

Edhe nëse kjo bllokadë tejkalohet në javët ose muajt e ardhshëm, në Bruksel mbizotëron bindja se bëhet fjalë vetëm për një hap simbolik dhe jo për një ndryshim të vërtetë të kursit të Beogradit.

Mesazhi që vjen nga institucionet evropiane është i qartë: Serbia duhet të bëjë shumë më tepër nëse dëshiron të përfitojë nga momenti historik i zgjerimit që po afron Malin e Zi dhe Shqipërinë me anëtarësimin e mundshëm deri në vitin 2030.

Edhe këtë herë, Beogradi ndoqi të njëjtën formulë të viteve të fundit: presion diplomatik në Bruksel, negociata intensive në minutën e fundit dhe përpjekje për të siguruar një kompromis. Por strategjia nuk dha rezultat.

Pas gati pesë vitesh bllokimi, konsensusi për Serbinë mbetet ende i paarritshëm. Kontrasti me vendet e tjera kandidate është gjithnjë e më i dukshëm. Më 14 korrik, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia hapën ose mbyllën një sërë kapitujsh negociues gjatë asaj që në Bruksel u quajt “Super e Marta” e zgjerimit.

Ndërsa këto vende ecin përpara, Serbia vazhdon të mbetet pas. Dhe në vend që të reflektonte mbi arsyet e ngecjes, reagimi i parë i Beogradit ishte politik. Mediat pranë qeverisë nisën sulme ndaj Kroacisë dhe Bullgarisë, duke i akuzuar se po pengonin integrimin evropian të Serbisë.

Megjithatë, tabloja është më komplekse. Shtatë vende anëtare - Holanda, Belgjika, Suedia, Finlanda, Lituania, Estonia dhe Kroacia – votuan kundër hapjes së Grupit 3 të kapitujve. Në krahun tjetër u rreshtuan Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja.

Ndryshimi më domethënës ishte ai i Gjermanisë. Berlini, që deri vonë kishte theksuar mungesën e reformave, problemet me shtetin e së drejtës dhe refuzimin e Serbisë për t’u harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, tani mbështet vazhdimin e negociatave.

Edhe Komisioni Evropian ka zbutur tonin, duke argumentuar se Beogradi ka përmbushur një pjesë të angazhimeve të marra në fund të vitit 2024, sidomos në reformën e drejtësisë, procesin zgjedhor dhe disa masa për lirinë e medias.

Megjithatë, vetë zyrtarët evropianë pranojnë se progresi është larg standardeve të kërkuara. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin, Jan Gert Koopman, e përshkroi situatën si “larg ideales”, por argumentoi se Serbia ka plotësuar kushtet minimale për hapjen e Grupit 3 dhe se Bashkimi Evropian duhet ta njohë këtë përparim.

Nën këtë klimë u zhvillua edhe vizita e parë e Aleksandar Vuçiçit në Kiev që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Presidenti serb u përpoq të paraqitej si partner i besueshëm i Evropës, por refuzimi për të nënshkruar deklaratën përfundimtare të samitit, që dënonte agresionin rus, riktheu dyshimet mbi orientimin strategjik të Serbisë.

Franca dhe Gjermania argumentojnë se Serbia duhet mbajtur pranë Bashkimit Evropian për të shmangur rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, Beogradi ka premtuar se deri në fund të vitit do të afrohet më shumë me politikën e jashtme të BE-së, ku aktualisht niveli i harmonizimit është vetëm 63 për qind.

Nga ana tjetër, Holanda dhe vendet skeptike mbeten të bindura se reformat janë sipërfaqësore dhe se Serbia nuk ka dhënë ende prova bindëse për një zgjedhje të qartë strategjike në favor të Bashkimit Evropian.

Edhe nëse hapet Grupi 3 i negociatave, kjo nuk do ta ndryshojë ndjeshëm pozitën e Serbisë. Tre grupe të tjera negociatash mbeten të bllokuara dhe sipas Komisionit Evropian, në disa fusha Beogradi nuk plotëson ende as kushtet minimale për hapjen e tyre.

Raporti i fundit i Komisionit nxjerr në pah probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Serbia renditet gjithashtu ndër vendet me rezultatet më të dobëta në zbatimin e reformave dhe në përdorimin e fondeve të Planit Evropian të Rritjes.

Eksperti i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Adi Ćerimagić, vlerëson se edhe me hapjen e Grupit 3, Serbia do të mbetej pas Shqipërisë në procesin e integrimit. Sipas tij, progresi i deritanishëm nuk mjafton për të përshpejtuar negociatat.

Përvoja e viteve të fundit, tregon se arritja e një konsensusi për Serbinë është gjithnjë e më e vështirë. Në Bruksel nuk flitet për trajtim preferencial dhe as për një rrugë të përshpejtuar drejt anëtarësimit. Përkundrazi, sa më shumë afrohen zgjedhjet në Serbi, aq më pak të gatshme duken shtetet anëtare të bëjnë lëshime politike që mund të shfrytëzohen nga Vuçiçi për konsum elektoral.

Nëse hapet Grupi 3 i kapitujve të bisedimeve, Beogradi do ta paraqesë këtë si një fitore politike. Por për Bashkimin Evropian mesazhi mbetet i pandryshuar: pa reforma të thella, pa forcim të shtetit të së drejtës dhe pa një orientim të qartë strategjik drejt Perëndimit, Serbia do të vazhdojë të mbetet prapa vendeve të tjera që po ecin me ritme shumë më të shpejta drejt anëtarësimit në bllok.

brukseli pirueta diplomatike vuçiç

1 Komente

  1. T
    Tony

    Sot quhet Bruksel, por dikur quhet Traktati i Berlinit e Traktati i Londres ku Rusi, Gjermani Britani ndanin parate e bixhozit naten te shinat e trenit. Ehh, Brukseli Belgjika, nje piciruk shtet nga me te pasurit ne bote qe ka minierat e diamanteve e arit ne Afrike, ku 'de Beer' sundon boten me bizhuterite me te shtrenjta qe blihen nga miliarderet. Mos u merrni me politika te medha o derdimene, merruni me ato dy pellembe toke qe na kane mbetur e te punojme fort se na ushqen mire te mbijetojme e jetojme per qef.

    Lini një Përgjigje