TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Korrik 2026, 13:05

Nga kokaina te nafta/ Mediat ekuadoriane: Mafia shqiptare e përfshirë në një tjetër skemë kriminale

Shkruar nga Pamfleti

Nga kokaina te nafta/ Mediat ekuadoriane: Mafia shqiptare e përfshirë

Një operacion i gjerë i autoriteteve ekuadoriane ka goditur një organizatë kriminale që dyshohet se siguronte miliona përmes vjedhjes së naftës nga tubacioni Quito–Santo Domingo–Esmeraldas, ndërsa Prokuroria ka ngritur dyshime edhe për lidhje të grupit me mafian shqiptare.

Në total, 16 persona, mes tyre një efektiv policie në detyrë dhe katër të burgosur, janë vënë nën akuzë për krim të organizuar, pas kontrolleve të zhvilluara në provincat Pichincha, Santo Domingo de los Tsáchilas, Esmeraldas dhe El Oro.

Sipas hetimeve, organizata përbëhej nga të paktën 19 anëtarë dhe drejtohej nga një person i njohur me nofkën "Quiñoe", i cili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, koordinonte nxjerrjen e paligjshme të derivateve të hidrokarbureve.

Skema kriminale bazohej në metodën e njohur si "pinchazo", që konsiston në shpimin e fshehtë të tubacioneve të naftës për të nxjerrë karburantin. Më pas, karburanti transportohej drejt qyteteve Guayaquil, Esmeraldas dhe Machala, ku dyshohet se shitej në mënyrë të paligjshme përmes bizneseve të ndryshme.

Dyshime për lidhje me mafian shqiptare

Sipas raportit të Prokurorisë, organizata kishte lidhje të dyshuara me mafian shqiptare, një rrjet kriminal që në Ekuador hetohet për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, vrasje me pagesë, pastrim parash, zhvatje, trafik droge dhe armëmbajtje të paligjshme.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se disa prej anëtarëve të grupit mund të kenë lidhje edhe me disa vrasje të bujshme që kanë tronditur opinionin publik në Ekuador.

Hetimi nisi në maj 2025 dhe u zhvillua me teknika speciale të autorizuara nga gjykata, përfshirë përgjime, survejim dhe analizë të të dhënave të nxjerra nga pajisje elektronike. Sipas Prokurorisë, këto prova mundësuan identifikimin e strukturës së organizatës dhe lëshimin e urdhrave të arrestit.

Një nga elementët më të rëndësishëm të dosjes është se katër prej drejtuesve të dyshuar të organizatës ndodheshin tashmë në burgun e Esmeraldas, por, sipas hetuesve, vazhdonin të drejtonin aktivitetin kriminal nga qelia. Ata dyshohet se kanë lidhje edhe me grupin kriminal Los Tiguerones.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan telefona celularë, pajisje saldimi të përdorura për ndërhyrje në tubacionet e naftës, si dhe dokumente që dyshohet se lidhen me aktivitetin e organizatës.

Pas paraqitjes së provave nga Prokuroria, gjykata e specializuar për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar vendosi masën "arrest me burg" për të 16 të pandehurit, ndërsa hetimet për rrjetin kriminal vijojnë.

 

Lini një Përgjigje