TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Korrik 2026, 16:11

"Ta urojmë në korrik apo tetor?", Balla ironizon Berishën: E feston ditëlindjen një ditë para diktatorit

Shkruar nga Pamfleti

"Ta urojmë në korrik apo tetor?", Balla ironizon

Seanca plenare e kësaj të hëne u shoqërua edhe me një tjetër përplasje politike mes Partisë Socialiste dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ironizoi Berishën lidhur me datën e lindjes që ai feston prej vitesh, duke pretenduar se nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

"Ka edhe nga ata që kanë ndërruar datën e ditëlindjes, por nuk po i hyjmë kësaj historie. Ta urojmë në korrik apo në tetor, kur e kishte një ditë para diktatorit? Shqipëria i ka këto, sepse kështu ishte gjendja civile", tha Balla.

Sipas Ballës, në dokumentacionin zyrtar Berisha figuron i lindur më 1 korrik 1944, ndërsa prej shumë vitesh feston ditëlindjen më 15 tetor.

Data 1 korrik 1944 rezulton në pasaportën e ish-kryeministrit, në regjistrin themelor të shtetasve, në listat e votimit, si dhe në regjistrin e gjendjes civile të Viçidolit, ku ai është regjistruar në vitin 1950.

Nga ana tjetër, Berisha ka shpjeguar në raste të ndryshme se data 15 tetor lidhet me regjistrimin e tij në gjendjen civile. Sipas tij, babai arriti ta regjistronte vetëm në muajin tetor, pasi zbriti nga fshati në qytetin e Tropojës.

Megjithatë, Balla përsëriti akuzën e tij politike, duke pretenduar se Berisha zgjodhi të festojë 15 tetorin pasi kjo datë përkon një ditë para ditëlindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha.

"E festonte në mesnatë që të ishte në sinkron me Enver Hoxhën", deklaroi Balla.

balla berisha seance kuvend

Lini një Përgjigje