TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Korrik 2026, 17:50

Ndahet nga jeta legjenda e futbollit anglez, Kevin Keegan

Shkruar nga Pamfleti
Ndahet nga jeta legjenda e futbollit anglez, Kevin Keegan
Kevin Keegan

Ish-fituesi dy herë i "Topit të Artë", ikonë e Liverpoolit dhe ish-trajner i Anglisë, humbi betejën me kancerin në moshën 75-vjeçare.

Kevin Keegan, një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit anglez, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, pas një beteje me kancerin, duke lënë pas një trashëgimi që shkon përtej trofeve dhe rekordeve.

Familja e tij kishte bërë të ditur në janar se ish-futbollisti ndërkombëtar dhe ish-trajneri i kombëtares së Anglisë ishte diagnostikuar me kancer në stadin e katërt dhe se do t'i nënshtrohej trajtimit.

"Me pikëllim të thellë njoftojmë se Kevin Keegan është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare", thuhet në deklaratën e familjes.

"Ish-lojtari dhe ish-trajneri i kombëtares së Anglisë luftoi kundër kancerit dhe në çastet e fundit kishte pranë bashkëshorten dhe vajzat e tij. Kevin, fitues dy herë i Topit të Artë, ishte një bashkëshort, baba dhe gjysh i dashur. Familja dëshiron të falënderojë ekipin e jashtëzakonshëm mjekësor që e mbështeti gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë dhe kërkon respektimin e privatësisë së saj."

Keegan konsiderohej një nga futbollistët më të mirë të brezit të tij. Ai zhvilloi pothuajse 750 ndeshje në nivel klubesh, fitoi katër tituj kampion të Anglisë me Liverpoolin dhe u shpall futbollisti më i mirë në botë në dy vite radhazi, më 1978 dhe 1979, gjatë kohës kur luante me Hamburgun.

Shtatë vjet pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ai nisi karrierën si trajner, duke marrë drejtimin e Newcastle United në shkurt të vitit 1992, në një periudhë kur skuadra rrezikonte rënien nga kategoria. Keegan arriti ta mbante ekipin në elitë dhe, në sezonin e tij të parë të plotë, e ngjiti në Premier League.

Në vitin 1996, ai e çoi Newcastle shumë pranë fitimit të titullit të parë kampion që nga viti 1927. "Laraskat" ishin për një kohë të gjatë favoritët për titullin dhe madje krijuan një avantazh prej 12 pikësh ndaj Manchester United.

Megjithatë, rënia e skuadrës në fund të sezonit dhe rikthimi spektakolar i ekipit të drejtuar nga Sir Alex Ferguson bënë që Newcastle ta mbyllte kampionatin në vendin e dytë, katër pikë pas Manchester United.

Tensioni i asaj periudhe kulmoi me intervistën e famshme të Keegan pas fitores ndaj Leeds United, kur fraza e tij drejtuar Fergusonit, "Do të më pëlqente shumë t'i mundnim", mbeti një nga momentet më të paharrueshme në historinë e futbollit anglez.

Më pas, ai mori drejtimin e kombëtares së Anglisë, të cilën më parë e kishte përfaqësuar si futbollist, duke shënuar 21 gola në 63 ndeshje. Keegan ishte trajner i Anglisë nga shkurti i vitit 1999 deri në tetor 2000, kur dha dorëheqjen vetëm pak minuta pas humbjes 1-0 ndaj Gjermanisë, në ndeshjen e fundit të zhvilluar në stadiumin e vjetër "Wembley".

Mandati i tij në krye të Anglisë u shoqërua edhe me eliminimin në fazën e grupeve të Euro 2000, pavarësisht fitores ndaj Gjermanisë, pasi humbjet ndaj Portugalisë dhe Rumanisë shtuan presionin mbi të.

Më vonë, ai drejtoi Manchester Cityn, të cilin e riktheu në Premier League në vitin 2002, pasi fitoi titullin në Division One. U largua nga klubi në mars të vitit 2005, duke njoftuar fillimisht tërheqjen nga futbolli.

Në vitin 2008, Keegan u rikthye për një mandat të dytë te Newcastle United, por qëndrimi i tij zgjati vetëm tetë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit dhe pronarin Mike Ashley.

Kevin Keegan lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si një nga futbollistët dhe trajnerët më të rëndësishëm në historinë e futbollit anglez.

kevin keegan

Lini një Përgjigje