Mereme Sela, e cila nuk u lejua të garojë përballë Sali Berishës për postin e kreut të PD-së, me argumentin se nuk plotësonte kriteret, nuk ndalet. Mjekja nga Durrësi, kandidatura e së cilës në rrjetet sociale, prodhoi më shumë meme se lajme, ka vendosur t’i hapë telashe zyrtarisht Sali Berishës, duke iu drejtuar Gjykatës së Tiranës.
Sela ka paditur Partinë Demokratike në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke atakuar vendimin e skualifikimit nga gara për kreun e PD-së, si një vendim të paarsyetuar, të pamotivuar dhe në mungesë transparence procedurale.
Sela pretendon se ajo u përjashtua nga gara “në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të saj statutore dhe parimit të barazisë në konkurrim.” Gjithashtu mjekja nga Durrësi pretendon se Komisioni lejoi kandidimin e Sali Berishës, në kundërshtim flagrant me ndalimin e parashikuar në statut, pasi neni “Basha” sanksionon se kryetari që humb zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i partisë.

Sela kërkon nga Gjykata të pezullojë procesin zgjedhor të 23 majit, ku anëtarësia përmes parimit 1 anëtar, 1 votë, është thirrur për të votuar për Kryetarin e PD-së.
Pavarësisht se një ditë më parë, Sali Berisha e cilësoi Selën si të vetmen kandidate që nuk kontrollohej nga Edi Rama, por nuk plotësonte kriteret, duket se ky vlerësim nuk e ka zbutur aspak mjeken që në primaret e Durrësit mori vetëm 43 vota.

5 kërkesat e Mereme Selës drejtuar Gjykatës
1. Shpallja e pavlefshme absolute e vendimit për skualifikimin e paditëses nga gara për Kryetar të PDSH-së;
2. Detyrimi i palës së paditur për rikthimin e paditëses në garë;
3. Shpallja e pavlefshme absolute e kandidimit të Sali Berisha;
4. Konstatimi i shkeljes së rëndë të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme;
5. Vendosja e masës së sigurimit të padisë: pezullimi i menjëhershëm i procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundim të gjykimit.

Lini një Përgjigje