
Seanca plenare e kësaj të hëne ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor në Durrës, ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te siguria rrugore në zonat e banuara.
“Engjëjt u prehshin në paqe”, u shpreh zv.kryeparlamentarja, Klodjana Spahiu.
Ndërkohë, disa deputetë të tjerë nuk i mbajtën dot lotët.
Aksidenti ndodhi një ditë më parë, rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15 të qytetit bregdetar, e njohur si ish-Këneta. Sipas informacioneve paraprake, tre fëmijë po luanin në trotuar kur një automjet tip “Benz ML”, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë, doli nga kontrolli dhe i përplasi.
Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Një tjetër i mitur mbeti i plagosur dhe po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende publike në detaje.
Sipas të dhënave nga hetimet paraprake, njërit prej fëmijëve automjeti i ka kaluar sipër, çka tregon për intensitetin e përplasjes. Pas aksidentit, mjeti është përplasur edhe me një automjet tjetër të parkuar në zonë.
Drejtuesi i automjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, është arrestuar nga policia dhe dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Ngjarja merr një dimension edhe më të rëndë për shkak të rrethanave familjare të njërës prej viktimave. Klersi Nikolli jetonte pa prindërit, të cilët ndodheshin në Itali, ku babai i tij po kurohej nga një sëmundje e rëndë.
Lini një Përgjigje