Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar nga policia ndaj protestuesve paqësorë përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm dhe në kundërshtim flagrant me standardet demokratike europiane.
Në një postim publik, Tabaku thekson se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe jo një krim, ndërsa qytetarët që prej ditësh protestojnë paqësisht nuk kanë kërcënuar dhe as kanë dhunuar askënd, por kanë ushtruar një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta.
Sipas saj, reagimi i qeverisë me dhunë ndaj qytetarëve tregon frikë nga zëri i popullit dhe një keqpërdorim të forcës shtetërore për të heshtur protestën.
“Në Europë policia mbron protestën, nuk përdoret për të rrahur qytetarë paqësorë. Kjo që po ndodh nuk është standard europian,” nënvizon Tabaku.
Pesë persona, mes tyre dy efektivë policie dhe kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, kanë mbetur të lënduar pas përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit një natë më parë te Kryeministria.
Spitali Universitar i Traumës njoftoi se mbrëmjen e djeshme janë paraqitur 5 persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre ka lënë Spitalin ndërsa tjetri vijon i hospitalizuar nën kujdesin e mjekëve.
“Z. Adriatik Lapaj pas ekzaminimeve të kryera ndodhet jashtë rrezikut për jetën por po vijon të jetë në spital në kujdesin e ekipit mjekësor.
Gjithashtu, për ndihmë mjekësore në spital janë paraqitur edhe dy protestues të cilët gjithashtu ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë lënë ambientet e spitalit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore”, njoftoi spitali.
Lini një Përgjigje