Tom Doshi emërime në Albpetrol, OSHEE, spitale e shumë drejtori...
Fushata ka ftohur marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Tom Doshit. Kreu i PSD sulmoi dje ashpër qeverinë, duke e prekur Ramën te pika e tij më e dobët, arrestimi i ministrave.
Por edhe pse Toma propagandon se ai nuk është pjesë e kësaj qeverie të infektuar nga korrupsioni, në fakt shpërthimi i konfliktit po nxjerr në pah se si Doshi, falë 3 deputetëve që ka në Kuvend dhe kushtëzimit të votës së tyre, ka kapur me dhjetëra drejtori.
Akoma nuk dihen arsyet e vërteta të konfliktit Rama-Doshi, por prej ditësh ka pasur përplasje mbi punësimet. Shumë kandidatë të PSD në zgjedhjet e 11 majit janë shkarkuar nga detyra. Këta të fundit ankohen se kjo është bërë me qëllim, ndërsa përfaqësues të mazhorancës kapen te ligji zgjedhor që nuk lejon që kandidatët të kenë funksione.
Por pavarësisht kësaj, kuptohet se si Tom Doshi ka shtrirë 'tentakulat' nga Shkodra, në Tiranë dhe deri në Fier. Beteja më e madhe është bërë në këtë të fundit, pasi mesa po shohim, shumë zyrtarë të Albpetrolit janë përfaqësues të PSD. Po ashtu janë kapur edhe disa drejtori të tjera.
Klortjana Skënderaj është një ndër emrat e shkarkuar në OSHEE-në e Fierit. Bashkëshorti i saj, Ylli Skënderaj dhe e bija janë kandidatë për deputetë për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit në qarkun Fier.
Përveç Skënderajt, edhe dy kandidatë të tjerë të PSD-së në zgjedhjet e 11 majit u ankuan se janë përballur me kërkesa për të dhënë dorëheqjen nga puna, menjëherë pas njoftimit të kandidimit. Limonera Bozha, specialiste në Albpetrol dhe Tetem Hasimaj, infermier në Spitalin e Ballshit, thanë se u është kërkuar të japin dorëheqjen nga vendi i punës.
Pasi emri i saj u shpall në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate në qarkun e Fierit, Limonera Bozha mori një telefonatë urimi nga eprorët e saj në Albpetrol, bashkë me kërkesën për të dhënë dorëheqjen. Bozha, një specialiste në kompaninë publike të naftës, Albpetrol, i tha BIRN se pasi kishte refuzuar që të jepte dorëheqjen, ishte shkarkuar nga detyra në datën 22 prill përmes një vendimi.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Shkodër e Tiranë. Në Shkodër janë shkarkuar një numër i madh drejtorësh të emëruar nga Tom Doshi. Kjo është dhe arsyeja që Toma sulmoi dje Benet Becin, kryetarin e Bashkisë. Për shkak të këtyre shkarkimeve, këshilltarët e PSD në Shkodër kanë bllokuar dhe Këshillin Bashkiak. Po ashtu edhe në Tiranë janë larguar disa të punësuar nga PSD.
Kjo ka qenë shkëndija e parë, dhe duket se konflikti po agravon nga ditë në ditë. Sinjalet janë se fshihet diçka më shumë: Mos ndoshta Rama po tenton ta spostojë Doshin duke menduar se do marrë mandate të mjaftueshme dhe nuk i duhet më? Apo Toma ka hapur oreksin dhe kërkon shumë më tepër se disa drejtori? /Pamfleti
Lini një Përgjigje