
SHBA me sistem të ri për dhënien e vizave...
Ambasada e SHBA ka ndryshuar procedurat për dhënien e vizave.
Pas urdhrave të firmosura nga Donald Trump, ambasada bën me dije se do të ketë një sistem të ri për këtë proces.
Ajo bën me dije se ky sistem do të aktivizohet duke filluar nga 30 maji.
“Ambasada e ShBA në Tiranë do të përdorë një sistem të ri për takimet e vizave duke filluar nga data 30 maj 2025. Përmes shërbimit të ri, aplikantët për vizë do të mund të marrin informacionin për vizë, të paguajnë tarifat e aplikimit, të planifikojnë dhe të ndryshojnë datat e intervistave dhe të marrin shërbime për dorëzimin e dokumenteve. Për të zbatuar këtë sistem të ri, aplikantët për viza nuk do të jenë përkohësisht në gjendje të gjenerojnë fletëpagesa ose të bëjnë ndryshime në orar nga data 19-29 maj. Ju lutemi, vini re se të gjitha intervistat për viza joemigruese dhe emigruese që janë tashmë të planifikuara ose do të planifikohen përpara datës 19 maj 2025, do të mbeten të vlefshme edhe pas fillimit të sistemit të ri të takimeve për viza. Aplikantët për vizë duhet të planifikojnë të marrin pjesë në takimet e tyre në datat dhe oraret e planifikuara”, njofton ambasada.
Ky njoftim vjen pas paralajmërimit të pak javëve më parë, ku Ambasada e SHBA në Tiranë lëshoi një mesazh interesant lidhur me politikën e revokimit apo bllokimit të vizave.
“Departamenti i Shtetit i SHBA është i përkushtuar ta bëjë Amerikën më të sigurt përmes politikave më kërkuese. Një masë thelbësore është kontrolli i vazhdueshëm i vizave për të gjithë individët, duke garantuar sigurinë dhe integritetin e kombit tonë.
Kontrolli i vizave në SHBA nuk ndalet pas lëshimit të vizës. Ne i kontrollojmë vazhdimisht mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së – dhe ne do t’ua revokojmë vizat dhe do t’i dëbojmë nëse nuk e bëjnë këtë”, thuhej në njoftimin e ambasadës.
Duke u nisur nga këto mesazhe, duhet theksuar se përveç shpalljes “non grata” nga DASH, Uashingtoni ndjek dhe një tjetër politikë për zyrtarët e korruptuar apo të dyshuar se janë përfshirë në afera, atë të heqjes së vizave. Nëse shohim me kujdes, ka shumë politikanë që prej vitesh nuk shkelin në SHBA. Vetëm një grusht emrash kemi parë të udhëtojnë, pasi shumë të tjerëve u janë hequr vizat (ata që i kanë pasur aktive), ndërsa shumë të tjerëve u janë refuzuar aplikimet. Sinjalet janë se do të ketë masa më të rrepta.
Lini një Përgjigje