Pas debatit në foltoren Kuvendit për çmimin e naftës, deputeti i PS-së Erion Braçe është afruar drejt vendit ku qëndronte i ulur kreu i Sali Berisha.
Në atë moment Berisha i ka treguar diçka në tabletin e tij, ndërsa replikat mes tyre kanë vijuar edhe jashtë foltores, në një diskutim të drejtpërdrejtë për çmimet e hidrokarbureve në vend.
Debati mes tyre është përqendruar te çmimet e karburanteve dhe tregu i hidrokarbureve në Shqipëri.
Erion Braçe në foltore tha se çmimi i lartë i naftës nuk vjen nga qeveria, por nga situata e luftës në Lindjen e Mesme .
Ai nënvizoi se akti normativ për taksën kombëtare dhe akcizën nuk ka ndikim pasi peshën kryesore e ka mbajtur Bordi i Transparencës.
Braçe tha se ka rezerva për transparencën pasi fsheh modelin e tregut.
“Çmimet e larta të naftës lidhen me situatën në një rajon të botës që është edhe ndër më prodhueset. Çmimet nuk erdhën nga qeveria, por erdhën të larta për shkak të një situate në një rajon prodhues të naftës, me ndikim në të gjithë botën. Akti është pa ndikim, është përdorur nga data 3-8 prill dhe 8-9 prill dhe efekti ka qenë 37 milionë lekë. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës dhe ka bërë një punë të lavdërueshme në aspektin e përcaktimit të çmimeve. Frekuenca e mbledhjes së Bordit dhe shqyrtimi i çmimit të hidrokarbureve ka bërë që të kemi kontroll më të mirë të çmimit, edhe pse mbeten të larta. Ajo që kam rezervë në raport me Bordin lidhen me transparencën. Mungesa e transparencës fsheh modelin e tregut që kemi, një broker që furnizon me naftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, depoziton naftën në depozita dhe kjo sasi nafte ka një çmim nafte nga dita që del për të shkuar në pompë. Në këtë skemë ka edhe paspagim, edhe para që jepen me interesa, para që gjenden për ta blerë këtë sasi nafte. Brokeri bën shpeshherë edhe rolin e bankës, e palejuar”, tha Braçe.
Lini një Përgjigje