Interpelanca e zhvilluar sot në Kuvend mes opozitës dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, është shoqëruar me debate të forta lidhur me rezervat e karburanteve dhe menaxhimin e krizës energjetike në vend.
Deputeti i opozitës, Eno Bozdo, akuzoi qeverinë se vendi ndodhet pa rezerva hidrokarburesh, duke deklaruar se situata është alarmante.
“Ju garantoj se rezervat e hidrokarbureve janë zero”, u shpreh Bozdo gjatë replikës së tij në Kuvend.
Ministri Karakaçi e kundërshtoi këtë deklaratë, teksa tha se nuk ka mungesë karburanti në treg dhe se institucionet po monitorojnë vazhdimisht situatën.
“Dua të garantoj shqiptarët se nuk ka mungesë produkti në treg. Përsa i përket kontrolleve në treg ato janë të vazhdueshme. Janë marrë të gjitha masat dhe kontrolli i fundit i përket fundit të vitit 2025 për rezervën dhe sigurinë e produktit”, deklaroi ministri.
Sipas tij, pas tensioneve të krijuara në tregjet ndërkombëtare, qeveria ka ngritur prej një muaji një grup të posaçëm për kontrollin e rezervave të hidrokarbureve.
Karakaçi u ndal edhe te çështja e energjisë elektrike, duke kundërshtuar pretendimet e opozitës se para vitit 2013 situata ishte më e favorshme për konsumatorët.
“Para vitit 2013 kishte 45% humbje në rrjet të energjisë elektrike dhe vetëm 70% të nivelit të pagesës”, tha ai, duke ironizuar gjithashtu debatet për sukseset e asaj periudhe.
“Të vini këtu dhe të na referoni sukses arritjet deri në vitin 2013 duket pak e çuditshme. Duket njëlloj si diskutimi për privatizimin e 4 hidrocentraleve për të paguar taksat e Kurumit”, shtoi ministri.
Karakaçi tha gjithashtu se kontrollet në tregun e karburanteve do të vijojnë për të garantuar furnizimin dhe stabilitetin e çmimeve për konsumatorët.
Lini një Përgjigje