Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur se kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, nuk është në kushtet e ndalimit për ushtrimin e funksionit publik, pas përfundimit të verifikimeve të kryera në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Sipas vendimit të KQZ-së, nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar që Marinaj të jetë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa nuk figuron as i proceduar, i arrestuar apo i ndaluar në ndonjë shtet tjetër.
Çështja ndaj Marinajt u ngrit në korrik të vitit 2024, kur grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtua me një kërkesë zyrtare Prokurorit të Përgjithshëm për verifikimin e tij sipas ligjit të dekriminalizimit.
Demokratët pretendonin se ndaj kryebashkiakut të Malësisë së Madhe ekzistonin dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale, duke iu referuar pretendimeve se ai akuzohej nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizate të trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Nga informacionet që disponohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të ligjit nr. 138/2015.
Kjo kërkesë bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna dhe informacione që ngrenë dyshimin e arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj ka kryer veprimtari të paligjshme", thuhet në njoftimin e KQZ.
Megjithatë, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe verifikimeve përkatëse, KQZ arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë kushte ligjore që pengojnë Tonin Marinajn të vijojë ushtrimin e mandatit si kryebashkiak i Malësisë së Madhe.
Lini një Përgjigje