Kryepolici Skënder Hita ka paralajmëruar se Policia e Shtetit do të zbatojë procedurat standarde dhe Kodin Penal në rast të incidenteve apo veprimeve të paligjshme gjatë protestës së opozitës, e cila është paralajmëruar të mbahet më 8 maj.
Gjatë një konference për mediat, Hita bëri të ditur se strukturat policore kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit, duke theksuar se protesta është autorizuar të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Janë marrë të gjitha masat që do të organizohet kjo protestë. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të përqendrohet. Në rast të veprimeve joligjore do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të Kodit Penal”, u shpreh Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit prezantoi edhe një ndryshim në mënyrën e komunikimit të institucionit me publikun dhe mediat, duke argumentuar se ekspozimi i vazhdueshëm i lajmeve kriminale ka krijuar perceptim negativ dhe pasiguri te qytetarët.
Sipas tij, Policia do të ndjekë një model të ri komunikimi, më të strukturuar dhe të bazuar në standardet evropiane, me fokus te informacioni i verifikuar dhe transparent.
"Ky vendim nuk vjen rastësisht, por është rezultat i një reflektimi serioz mbi reagimet e shumta të qytetarëve për mënyrën se si përcillen lajmet kriminale. Kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale. Qëllimi ynë nuk është thjesht të informojmë më shumë, por të informojmë më drejt, më saktë dhe gjithmonë në interes të sigurisë së çdo qytetari”, tha ai.
Hita sqaroi se të dhënat statistikore mbi kriminalitetin do të publikohen rregullisht në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa drejtuesit vendorë do të mbajnë konferenca periodike për të raportuar mbi situatën e sigurisë në qarqe.
Ai theksoi se Policia synon të ndërtojë një komunikim që “informon, por nuk alarmon”, duke ruajtur balancën mes transparencës dhe përgjegjësisë publike.
Lini një Përgjigje