TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Mars 2026, 19:55

PE rrëzon retorikën e Ramës: Integrimi sipas meritës, nuk ka përjashtim për askënd

Shkruar nga Pamfleti
PE rrëzon retorikën e Ramës: Integrimi sipas meritës, nuk ka
Edi Rama & PE

Me 385 vota pro, Parlamenti Evropian miratoi raportin për zgjerimin, duke kërkuar përshpejtimin e negociatave me vendet kandidate, por pa përjashtime nga kriteret e BE-së...

Parlamenti Evropian ka miratuar një raport të ri mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se integrimi i vendeve kandidate duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë dhe pa përjashtime nga standardet dhe vlerat themelore të BE-së.

Në raport theksohet se kostoja e moszgjerimit të Bashkimit Evropian mund të jetë më e lartë se ajo e pranimit të anëtarëve të rinj. Sipas eurodeputetëve, vonesat në procesin e zgjerimit rrezikojnë të krijojnë “zona gri gjeopolitike”, të cilat mund të bëhen të ndjeshme ndaj ndikimit të fuqive të jashtme antagoniste.

Dokumenti vëren se disa vende kandidate kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit. Mali i Zi synon të mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2026, ndërsa Shqipëria ka vendosur si objektiv përfundimin e tyre deri në 2027.

Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian i bën thirrje Këshillit të BE-së që të njohë këtë moment dhe të heqë pengesat që mund të ekzistojnë nga ana e vetë Bashkimit Evropian. Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu hapjen sa më të shpejtë të kapitujve të rinj të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë.

Megjithatë, mesazhi i Parlamentit Evropian mbetet i qartë: procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm, dhe asnjë vend kandidat nuk duhet të trajtohet si pjesë e një pakete.

Kjo qasje përbën edhe një mesazh indirekt për vendet që kanë shpallur objektiva ambicioze për anëtarësimin në BE. Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është një objektiv strategjik që synohet të realizohet brenda vitit 2030. Megjithatë, Parlamenti Evropian thekson se procesi i zgjerimit nuk mund të përshpejtohet përtej reformave reale që kërkohen nga kriteret e anëtarësimit.

Eurodeputetët nënvizojnë se shteti i së drejtës, reformat demokratike, liria e medias, mbrojtja e të drejtave të pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në qendër të procesit të integrimit.

Një tjetër tregues i rëndësishëm për orientimin strategjik të vendeve kandidate është përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së (CFSP). Sipas raportit, prirjet më shqetësuese të regresit demokratik janë vërejtur pikërisht në vendet që kanë nivelin më të ulët të përputhjes me këtë politikë dhe ku procesi i integrimit ka ngecur.

Parlamenti Evropian kërkon gjithashtu monitorim më të fortë të reformave, veçanërisht në të ashtuquajturin “klasteri i bazave”, që përfshin sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike. Eurodeputetët theksojnë rëndësinë e mbështetjes për shoqërinë civile pro-evropiane në vendet kandidate, e cila konsiderohet një faktor kyç për përparimin e reformave.

Raporti kërkon gjithashtu që në buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së të sigurohen fonde të mjaftueshme para-anëtarësimi, si dhe të thellohet bashkëpunimi me vendet kandidate në fusha si infrastruktura, siguria, qëndrueshmëria dhe lufta kundër manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.

Raporti u miratua nga Parlamenti Evropian me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime.

Raportuesi i dokumentit, eurodeputeti Petras Auštrevičius nga grupi Reneë Europe, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian ka rritur gjithmonë fuqinë politike dhe ekonomike të Unionit, duke sjellë më shumë prosperitet dhe siguri për qytetarët e tij.

Me çdo anëtar të ri, fuqia politike dhe ekonomike e Evropës është rritur. Përballë sfidave aktuale, duhet të përmirësojmë modelin e integrimit evropian për të reflektuar më mirë interesat e BE-së dhe pritshmëritë e vendeve kandidate,” tha ai.

Sipas Auštrevičius, zgjerimi duhet të shoqërohet edhe me reforma të brendshme të Bashkimit Evropian, për të përmirësuar funksionimin e institucioneve dhe procesin e vendimmarrjes, përfshirë përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet të përfundojë këto reforma deri në momentin kur vendet që janë në krye të procesit të zgjerimit të përmbushin kriteret për anëtarësim dhe të jenë gati për t’u bashkuar me Unionin. /Pamfleti

 

rezoluta rama pe

Lini një Përgjigje