Lëvizja Bashkë ka zhvilluar një protestë para godinës së Kuvendit, duke kërkuar heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Tubimi u organizua nën moton “Sa më i madh skandali, aq më e madhe mbrojtja”, ku morën pjesë disa dhjetëra qytetarë, një pjesë e të cilëve mbanin pankarta kundër qeverisë.
Nga protesta, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deklaroi për "Report TV" se kryeministri Rama po i jep mbrojtje politike Ballukut, duke dërguar një mesazh për zyrtarët e tij se do t’i mbështesë edhe nëse përballen me akuza për korrupsion.
“Ne kemi organizuar disa protesta për të ushtruar një presion pozitiv ndaj ligjvënësve sa i takon çështjes së mandatit të Ballukut. Tashmë, siç janë shprehur përfaqësues të partisë në pushtet, duket sikur do ta mbrojnë dhe nuk janë të gatshëm t’i heqin imunitetin”, u shpreh Muçi.
Sipas tij, qëndrimi i kryeministrit për këtë çështje përbën një përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë, duke theksuar se kjo, sipas tij, cenon reformën në drejtësi.
“Fakti që Rama nuk pranon që t’i heqë imunitetin Ballukut tregon shumë. Kjo është një përplasje mes pushtetit Ekzekutiv dhe atij Gjyqësor dhe një mesazh për të vetët se do t’i mbrojë nga drejtësia”, deklaroi deputeti i Lëvizjes Bashkë.
Ndërkohë, çështja pritet të diskutohet edhe në Kuvend. Ditën e nesërme deputetët do të votojnë lidhur me imunitetin e Belinda Ballukut. Në Parlament janë depozituar dy raporte, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike, të cilat do të shqyrtohen.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar arrestimin e zv/kryeministres, duke e akuzuar për korrupsion dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
Lini një Përgjigje