Partia Demokratike e Shqipërisë do të protestojë nesër para Pralamentit, teksa në sallë votohet mbi imunitetin e Belinda Ballukut. Sipas njoftimit zyrtar, tubimi pritet të nisë në orën 10:00.
Në lidhje me këtë aktivitet, Policia e Tiranës bën me dije se janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Masat janë ndërmarrë në përputhje me ligjin “Për tubimet”, me qëllim mbarëvajtjen e protestës dhe shmangien e incidenteve.
Si pjesë e planit të masave, autoritetet kanë paralajmëruar kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve. Konkretisht, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”, një nga akset kryesore pranë godinës së Parlamentit.
Policia sqaron se, në varësi të numrit të pjesëmarrësve dhe zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të përkohshme edhe në rrugë të tjera përreth zonës së protestës.
Për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, Policia e Tiranës ka parashikuar edhe rrugë alternative ku do të devijohet trafiku në rast të bllokimit të akseve kryesore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë mirëkuptim për kufizimet e përkohshme dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të policisë rrugore.
Po ashtu, Policia apelon që qytetarët të distancohen në rast se përballen me veprime të kundërligjshme që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike gjatë zhvillimit të tubimit.
Lini një Përgjigje