
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli antikushtetuese mbylljen e platformës TikTok me vendim qeverie. Në reagimin e tij publik, Rama ironizoi qëndrimin e gjykatës, duke sugjeruar se sipas këtij interpretimi rezulton sikur shumica e prindërve dhe mësuesve shqiptarë kanë qenë të gabuar kur kërkuan pezullimin e përkohshëm të aplikacionit.
Sipas kryeministrit, vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut solli rezultate konkrete, pasi kompania ndërmori masa shtesë për kontrollin dhe sigurinë e përmbajtjeve në platformë. Ai theksoi se rihapja e aplikacionit u bë pas mirëkuptimit me kompaninë dhe ndryshimeve të ndërmarra prej saj.
"Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot! Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese deklaroi se vendimi i qeverisë për bllokimin e platformës cenonte lirinë e shprehjes dhe ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas argumentimit të gjykatës, kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me vendim të qeverisë.
Gjykata theksoi se aplikacioni TikTok nuk mund të bllokohej përmes një vendimi qeveritar, duke e konsideruar këtë masë si antikushtetuese.
Lini një Përgjigje