Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi në Komisionin e Ekonomisë lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionon tregu i naftës në Shqipëri.
Braçe tha se ndryshimi i fundit i çmimit të naftës është bërë përmes një mesazhi të dërguar në telefon tek përgjegjësit e pikave të karburantit. Sipas tij, çmimi është ndryshuar dje rreth orës 16:00 përmes një SMS-je të dërguar në të gjitha pikat e furnizimit.
Ai vuri në dukje se çmimet më të larta regjistrohen te pikat e karburanteve të markave të njohura, ku sipas tij çmimi lëviz nga 198 deri në 202 lekë për litër. Braçe tha se prej katër vitesh këto kompani e kanë “sfidë personale” që çmimi të mos bjerë nën 200 lekë dhe të mbetet gjithmonë mbi këtë nivel.
Deputeti socialist shtoi se po përpiqet të mbledhë mesazhet e dërguara për të provuar se ndryshimet e çmimeve koordinohen nën ndikimin e Shoqatës së Hidrokarbureve, të cilën e akuzoi se vepron si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve. Sipas tij, në disa raste këto mesazhe nuk dërgohen vetëm nga drejtues të kompanive, por edhe nga zyrtarë të kësaj shoqate.
Braçe theksoi gjithashtu se problemi nuk lidhet vetëm me tregun e pakicës, por kryesisht me mënyrën se si funksionon tregu i shumicës. Ai argumentoi se kompanitë nuk e blejnë më naftën drejtpërdrejt në bursë, por përmes një ndërmjetësi broker që e sjell karburantin në vend dhe e depoziton në rezervat e kompanive.
“Unë vazhdoj të insistoj te tregu i karburanteve, me thënë të drejtën, dhe jo thjesht tek veprimi juaj, por tek modeli i tregut që ata kanë ndërtuar prej katër vitesh, po flas prej katër vitesh. Po, ato janë çmimet dhe janë vendosur me një mesazh. Çmimi i naftës ka ndryshuar dje në orën 16:00 sipas një SMS-je të mbërritur në çdo përgjegjës pike karburanti.
Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara, pra çmimi më i lartë është ai 198-202 lekë, që këta e kanë sfidë personale. Kanë katër vjet që e kanë sfidë këtë 202 lekëshin; kur e patën para katër vitesh e kanë sfidë mos ta ulin nën 200 lekë dhe ta çojnë gjithmonë mbi 200 lekë.
E kanë ndryshuar me një SMS dhe unë po përpiqem shumë që ato SMS t’i mbledh dhe t’jua dërgoj dhe, mbi të gjitha, nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është Shoqata e Hidrokarbureve. Këto SMS nuk i dërgojnë thjesht drejtuesit e kompanive, por këto SMS, veçanërisht tek pikat e bardha, i dërgojnë zyrtarët e Shoqatës së Hidrokarbureve. Pra Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.
Ju me të drejtë po monitoroni tregun e pakicës, por problemi është atje ku ju thashë, tek tregu i shumicës. Cili është modeli i tregut që zotërinjtë kanë ndërtuar? Këta nuk blejnë më naftë në bursë; këta blejnë nga një broker që e sjell naftën në territor. Është ky brokeri që vjen dhe e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita. Ky model tregu i ka hequr të gjitha avantazhet e blerjeve afatgjata të sasive të naftës, ose ia ka kaluar këtij brokeri, i cili nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili merr këto përfitime të blerjeve në afatgjatë.
Në bursë sot blen naftë ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore dhe 6-mujore. Sot po të futesh në bursë, blen me këto afate dhe këto blerje në tregun shqiptar i bën ky broker. Madje këta kanë shuar fare parimin që duhet të funksionojë një depozitë.
Dollari është përtokë, pra transaksionet kryhen në dollar. Euro është zhvlerësuar, që është element i rëndësishëm tek çmimi, por kjo nuk është reflektuar sepse ky model tregu nuk e lejon këtë gjë.”, tha Braçe.
Lini një Përgjigje