Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, i dënuar me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje, i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë duke kërkuar prishjen e vendimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm.
Sipas procedurës, kërkesa është depozituar në Gjykatën e Lartë, por deri tani nuk është caktuar ende relatori i çështjes dhe as data e shqyrtimit në seancë gjyqësore.
Pas shpalljes së vendimit nga Apeli i Posaçëm, Memolla u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, ku aktualisht po vuan dënimin. Si pasojë e arrestimit të tij, drejtimi i bashkisë po ushtrohet përkohësisht nga një kryetar i komanduar.
Hetimet ndaj ish-kryebashkiakut nisën pas publikimit të një audio-përgjimi, ku dëgjohej Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, duke ndërhyrë tek një elektricist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Sipas hetimeve, ndërhyrja dyshohej se kishte për qëllim sigurimin e votave në favor të tij gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të vitit 2022 në Rrogozhinë.
Nga përgjimet e mëvonshme rezultoi se Memolla kishte biseduar me elektricistin Blerim Xhamani edhe për mundësi punësimi në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të mbështetjes elektorale.
Për këtë çështje, Apeli i Posaçëm dënoi me nga një vit burg edhe Blerim Xhamanin dhe Ndriçim Tafshafën. Ndërsa Isuf Tosku u dënua me 8 muaj burg, dënim që iu konvertua në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.
Lini një Përgjigje