Protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike për këtë vit u shoqërua me tensione të forta dhe dhunë. Pas grumbullimit dhe fjalimeve para Kryeministrisë, situata u përshkallëzua menjëherë pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, me hedhje molotovësh dhe përplasje me policinë. Protesta u zhvendos më pas te Kuvendi, ku u shënuan sërish incidente dhe sulme ndaj efektivëve. Pas rreth tre orësh tensione, tymi, gazi lotsjellës dhe kaosi, turma u shpërnda, ndërsa disa punonjës policie mbetën të lënduar...
Partia Demokratike mbajti sot protestën e dytë kombëtare për këtë vit, pas tubimit të 24 janarit, e cila edhe këtë herë u shoqërua me tensione, akte dhune dhe përplasje me forcat e rendit, duke krijuar për disa orë kaos në qendër të Tiranës.
Protesta nisi pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë, ku qindra mbështetës dhe militantë të PD-së u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fillimisht tubimi u zhvillua në mënyrë të organizuar, me fjalime nga drejtues të opozitës dhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Protesta u mbajt nën masa të forta sigurie, ndërsa policia kishte vendosur kordonë përreth godinës qeveritare.
Situata ndryshoi menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha. Sapo ai mbylli fjalën, një pjesë e protestuesve nisën sulmet ndaj Kryeministrisë, duke hedhur molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të godinës. Si pasojë, u krijuan flakë dhe tym në disa pjesë të jashtme të saj, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas përplasjeve para Kryeministrisë, protesta u zhvendos drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Edhe aty situata u tensionua shpejt. Fillimisht pati shtyrje të kordonëve policorë, ndërsa më pas u hodhën sërish molotovë, të cilët ranë mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Për disa minuta, zona përpara Kuvendit u mbulua nga tymi, ndërsa policia u detyrua të ndërhyjë me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Gjatë përplasjeve janë dëmtuar afro 16 efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët përfunduan në spital. Prania e policisë u shtua ndjeshëm në të dyja institucionet, me forca të shumta të rendit të vendosura për të garantuar sigurinë.
Pas rreth tre orësh protesta, përplasjesh dhe ndërhyrjesh të përsëritura të policisë, turma e protestuesve u shpërnda gradualisht, ndërsa situata në qendër të kryeqytetit u vu nën kontroll. Protesta e sotme shënon një tjetër episod të tensionuar në aksionin opozitar, duke përsëritur skenarë të ngjashëm me tubimin e 24 janarit. /Pamfleti
keta jane barbaret sllavo-komunist gjithsej 500 veta
Fatkeqësisht për të gjithë ata që nuk e duan të majtën e korruptuar që sundon me votën e shumicës, PD është një vegël e Salih Berishës. Mjerë na kush na ka hi në oxhak, e kush na ka blloku qenefin. Alternativat e tjera vdesin pa lindur, pasi shoku Salih bën punën e socialistëve. Bën zhurmënsivtrim, ndonëse paguhez, shpërblehet familjarisht nga shoku Pikator, i lë socijalistët të sundojnë të qetë, dhe përsërit ciklin e farsës.