Mandati 7-vjeçar i ish-ministrit të Financave ka përfunduar, por Kuvendi dhe Banka e Shqipërisë heshtin, duke e lejuar të qëndrojë pa garë dhe pa votim...
Pazari politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për Ridvan Boden është konfirmuar me mosshpalljen e përfundimit të mandatit të tij në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa tre anëtarëve të tjerë u është deklaruar zyrtarisht mbarimi i mandatit dhe janë hapur procedurat për garë të re, për Boden ky proces është anashkaluar në heshtje. Ligji përcakton qartë afatin 7-vjeçar dhe detyrimin për rikandidim, por institucionet kanë zgjedhur ta injorojnë këtë rregull, duke i garantuar ish-ministrit një mandat të dytë pa konkurrencë. Rasti përforcon dyshimet për mbrojtje politike dhe shkelje të hapur të ligjit në një nga institucionet më të rëndësishme financiare të vendit.
Ky pazar u vërtetua më 2 shkurt 2026, me shpalljen e mbarimit të mandateve për tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, konkretisht Luljeta Minxhozi, Violeta Staka dhe Artan Hoxha.
Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, mandati i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i ka mbaruar edhe Ridvan Bodes, por Kuvendi dhe Banka e Shqipërisë, në ujdi mes tyre, nuk kanë deklaruar mbarimin e mandatit të tij dhe as shpalljen e vendit vakant.
Edhe Ridvan Bodes, ashtu si tre anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, më 18 dhjetor 2025 i ka përfunduar mandati ligjor 7-vjeçar dhe ai ka të drejtë të garojë përsëri për një mandat tjetër.
Por, siç kuptohet, ish-shefi i tij Sali Berisha dhe Edi Rama kanë urdhëruar që pazarxhiut dhe hajdutit të përbashkët, Ridvan Bode, të mos i shpallet mbarimi i mandatit, duke e lejuar në heshtje të vazhdojë mandatin e dytë pa garë.
Në pikën 4 të nenit 44 të ligjit “Për funksionimin e Bankës së Shqipërisë dhe zgjedhjen e organeve qendrore drejtuese” përcaktohet qartë:
“Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës është 7 vjet”.
Por në listën e kandidatëve të rinj dhe të anëtarëve aktualë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës që u ka mbaruar mandati dhe po garojnë për mandatin e dytë, mungon emri i Ridvan Bodes.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Bankës së Shqipërisë, në ujdi me njëri-tjetrin dhe duke iu bindur urdhër-pazarit të Sali Berishës dhe Edi Ramës, nuk kanë shpallur mbarimin e mandatit të Ridvan Bodes si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës.
Edhe Ridvan Bode, ashtu si tre kolegët e tij dhe 17 kandidatët e rinj, është i detyruar me ligj të rikandidojë në një garë të hapur përballë Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, duke dhënë llogari për punën e tij gjatë mandatit të parë 7-vjeçar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Por me bekimin e dyshes Rama–Berisha dhe me heshtjen e kupolës së Kuvendit dhe Bankës së Shqipërisë, Ridvan Bode do të vazhdojë mandatin e dytë pa iu nënshtruar garës dhe votimit edhe për 7 vite të tjera, deri në moshën 74-vjeçare.
Kujtojmë se mandatin e parë Ridvan Bode e mori më 18 dhjetor 2018, si kandidaturë e qeverisë me propozimin e Edi Ramës, në pazar të heshtur me Sali Berishën, ashtu siç po veprohet edhe tani për ta lënë edhe një mandat tjetër në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës, duke shkelur hapur ligjin.
Në një linjë me Edi Ramën dhe Sali Berishën qëndrojnë edhe drejtuesit e SPAK-ut, të cilët nuk kanë prekur Ridvan Boden, ish-ministrin më famëkeq të financave dhe pasurive publike të Shqipërisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje