TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shkurt 2026, 08:00

Deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve, reagon sërish Rama: S’ka rritje pagash me 2-3 mijë euro në muaj

Shkruar nga Pamfleti
Deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve, reagon sërish Rama:
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve për pagat.

Në një lidhje direkte në rrjetet sociale, Rama shprehet se gjuha e përdorur nga Shoqata është e papranueshme kur ata e kanë pagën të barabartë me ata të Greqisë.

“Jam këtu në një komunikim të drejtpërdrejtë sepse jam i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë publikisht, për një përpjekje, në këndvështrimin tim, është e pajustifikueshme, është e papranueshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtar me gjyq. Këtë shqetësim publik e kam shprehur si palë, në emër të një pale. Një pale për të mbrojtur interesin e vetë, publik me gjykatë.

Është hera e dytë që ndodh që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur unë flas në emër të asaj që përfaqësoj, në emër të shqiptarëve në mbrojtje të një interesi për të cilin jemi në gjyq. Befas Shoqata e Gjyqtarëve shfaqet si një parti politike me një gjuhë të pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor. Jo një arbitër që thotë: ‘Bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do e gjuaj vetë dhe porta të rrijë pa portier’.

Sot që flasim aktualisht, ju i keni pagat sa në Greqi dhe ju doni t’i rrisni me 2000-3000 euro në muaj, në emër të çfarë. Ju thoni në emër të ligjit dhe Kushtetutës? Është e pavërtetë.”, tha tjera Rama.

Kryeministri theksoi se SPAK nuk i është bashkuar kësaj kërkese, duke e veçuar nga pjesa tjetër e sistemit.

“Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro”, shtoi ai.

Sipas Ramës, gjyqtarët sot paguhen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, dhe kërkesa për rritje me 2-3 mijë euro në muaj nuk ka bazë ligjore apo kushtetuese. Ai shtoi se gjyqtarët duhet të shprehen përmes vendimeve në sallën e gjyqit dhe jo në publik, duke theksuar se çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese. 

 

edi rama deklarata e shoqatës së gjyqtarëve

Lini një Përgjigje