Rama ka sulmuar ashpër shoqatat e gjyqtarëve, duke i akuzuar për arrogancë pushteti dhe kërkesa të pajustifikuara për rritje pagash. Kreu i qeverisë tha se ato nuk janë në rregull ligjërisht dhe nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarata politike. Sipas tij, qeveria mbetet garantja e pavarësisë së drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme e ka nisur me sulme ndaj gjyqtarëve, ku tha se falë qeverisë socialiste atyre iu ka ndryshuar jeta, për mirë.
“Askush këtu nuk ju cenon ju pozicionin. Përkundrazi, kjo qeveri është garantja e pavarësisë suaj. Dhe ju e dini shumë mirë se këtu keni jetuar, ku keni qenë dhe ju e shikoni vetë ndryshimin e madh që ka ndodhur edhe në jetën tuaj familjare. Dhe për këtë respekt për të gjitha familjet tuaja. Ehe në jetën tuaj profesionale, sepse jeni totalisht të pavarur. A jeni të paanshëm, këtë duhet ta shikoni te vetja dhe ta kërkoni çdo ditë kur hyni në sallën e gjyqit”, tha Rama.
Rama e cilësoi reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve si të papranueshëm dhe të paprecedentë në historinë e Europës. Kreu i qeverisë u shpreh se është “absolutisht i surprizuar” nga ajo që e quajti një përpjekje për t’i imponuar Kuvendit dhe qeverisë vendime përmes pushtetit gjyqësor.
“S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, rroga nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5000 euro”, tha Rama.
Sipas Ramës, gjyqtarët sot paguhen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, dhe kërkesa për rritje me 2-3 mijë euro në muaj nuk ka bazë ligjore apo kushtetuese. Ai shtoi se gjyqtarët duhet të shprehen përmes vendimeve në sallën e gjyqit dhe jo në publik, duke theksuar se çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese.
Mes të tjerash kryeministri shprehu “respekte për SPAK”, duke qenë se nga ana e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka patur një kërkesë të ngjashme, apo ankesa të tilla mbi pagën.
Kreu i qeverisë u shpreh i irrituar me kërkesën, ankesën dhe arsyetimin e shoqatave të gjyqtarëve.
Sa i përket pikës ku flitet për ulje fiktive të pagave të gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Ministrave, Rama u kërkoi shoqatave të paraqisnin dokumente për këtë dhe të flisnin me prova, duke qenë se nuk janë një parti politike për të bërë deklarata publike të tilla, që ai i konsideron të pavërteta.
“Ju nuk jeni parti politike, për të dhënë opinione të tilla në publik, ju jeni gjykatës. Si mund të hidhni baltë mbi qeverinë e kësaj republike me këtë lloj retorike?! Dhe për më tepër flisni për zbritje fiktive të pagës referuese të bërë nga Këshilli i Ministrave.
Dhe thoni që ne jua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve. Këto janë dokrra, nxirrni një dokument të përkeqësimit financiar se nuk jeni parti politike për të bërë deklarata publike, ato bëjini kur të keni realisht komente kur ju cënohet pozicioni.”, tha Rama, duke shtuar se qeveria e tij është treguar garante e pavarësisë së tyre.
Rama akuza dy shoqatave të gjyqtarëve për detyrime të papaguara
Rama ngriti një akuzë të rëndë për dy shoqatat e gjyqtarëve që kanë bërë kërkesën në Gjykatë Kushtetuese për “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ndryshimit që iu bë ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ç’ka do t’i hapte rrugën rritjes së pagave për ta. Ai tha se dy shoqatat nuk janë në rregull para ligjit, pasi njëra rezulton e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, për mos pagim të detyrimeve, ndërsa tjetra nuk rezulton fare e regjistruar.
“Kjo shoqata është ngritur për të fituar ju lekë, shkon në Gjykatë Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat tuaja dhe shoqatat e unionit, është e pezulluar nga QKB se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe kontributet shoqërore, ju si shoqatë që dyshoj të keni një anëtarësi të gjerë, ndërsa shoqata tjetër nuk ishte fare e regjistruar. I ka ligji këto detyrime. Duhet të ishte e ç’regjistruar sepse kështu thotë ligji dhe Gjykata Kushtetuese nuk i mori parasysh këto fakte, ju si shoqata nuk duhet të merreshit fare si referencë sepse nuk jeni në rregull para ligjit.
Unë mendoj që ju jeni arrogantë. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar dhe për këtë arsye ndodhin dhe gjëra të tjera në këtë vend, por unë nuk jam këtu për këtë sot. Unë jam palë dhe flas në emër të një pale, ju nuk jeni palë dhe s’mund të trajtoheni si palë.”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri më tej theksoi se SPAK nuk i është bashkuar kësaj kërkese, duke e veçuar nga pjesa tjetër.
“Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro”, shtoi ai.
Egzekutivi garant i pavaresise se sistemit te drejtesise ????!!! A nuk eshte Kushtetuta??? Pra po te doje egzekutivi te jep pavaresi, po te doje nuk te jep….pra pavaresia varet nga qeveria. Sinqeritet. Po qeverite vene e vine pra dhe pavaresia vete e vjen…
Plehra ata, por kryepleh ti.
shih, foli hajduti me cizme
Pse ashu ben ti qe JE parti politike