
SPAK mbyll hetimet për privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani" dhe dorëzon dosjen në gjykatë...
Ish-kryeministri Sali Berisha përfundon në gjykatë për aferat me privatizimin e ish-kompleksit "Partizani".
Ditën e sotme, dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai konkluduan mbylljen e hetimeve dhe dorëzuan dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Sipas informacioneve, ata kanë dorëzuar 333 fashikuj me prova dhe argumente, kundër Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Mlltezi, si dhe ndaj ndërtuesve Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe financieres Andia Pustina.
Ditën e nesërme pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin paraprak, i cili do të vendosë nëse dosja është e plotë dhe përmbush kushtet për të kaluar për gjykim. Në short paraprak do të përfshihen 10 gjyqtarë dhe jashtë do të mbetet Irena Gjoka, e cila ka shqyrtuar prej tetorit 2023 masat e sigurisë ndaj të akuzuarve.
Duhet thënë se tani nis kalvari i përballjes së Berishës me drejtësinë, pasi do të duhet të tregojë para trupës gjykuese se nuk është i përfshirë në afera. Deri tani ishte komod, por në fund të gjykimit mund të kemi dënim që fut në qeli dhëndrin dhe atij vetë i mbyll karrierën politike.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK për veprën penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërkohë dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Në Kodin Penal parashikohet se këto vepra kanë dënimet më të larta në fushën e korrupsionit. Vepra e korrupsionit pasiv dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Pastrimi i parave me pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Pra, nëse konkretizohen akuzat dhe në fund Berisha shpallet fajtor, atëherë rrezikon maksimumi 12 vite burg. Ndërsa Malltezi rrezikon maksimumi 27 vite burg.
Sipas SPAK, Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi. "Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje