Manovra e Ramës, përdor hapjen e kapitujve me BE për të fuqizuar komisionin “Xhafaj”!
Edi Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet nga komisioni “Xhafaj”. Ndonëse u bojkotua në bllok nga gjithë sistemi i drejtësisë dhe po ashtu ka marrë shumë kritika nga ndërkombëtarët, Rama ka futur në lojë planin B.
Kryeministri do të shfrytëzojë hapjen e grup-kapitujve me BE, për të rikthyer në lojë komisionin. Mes kapitujve që u hapën sot janë ata 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Pra duhet një rishikim i ligjeve dhe punës së institucioneve të drejtësisë, me qëllim që të përshtaten me legjislacionin e BE. Duket se këtë gjë do të bëjë pikërisht Xhafaj. Kjo do të thotë se integrimi drejt BE do të jetë në duart e tij.
Rama, e ka paralajmëruar hapur një gjë të tillë në një reagim në rrjetet sociale.
“Një moment historik kurorëzimi i përpjekjeve të mëdha të deritanishme në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit*. Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për Grup-Kapitujt, “Themeloret”:
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma në administratën publike
-Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Prokurimi publik
-Statistikat
-Kontrolli financiar
*mbase përmbajtja e këtij Grupi-Kapitujsh dhe volumi i detyrave për t’u kryer, do t’ua ndriçojë fillin e arsyes edhe të gjithë atyre që ngritën akuza të paarsyeshme kundër Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin”, shprehet Rama.
Që kur u hodh ideja e komisionit “Xhafaj”, dihej se ishte një manovër për të ndërhyrë te drejtësia. BE dhe SHBA kanë kërkuar që të ketë dialog dhe me opozitën, e cila ka bojkotuar komisionin. Po ashtu ka vënë vijën e kuqe që reforma nuk duhet të preket. Nga ana tjetër SPAK, Kushtetuesja, Gjykata e Lartë, ILD apo Prokuroria e Përgjithshme refuzuan të dërgojnë ekspertë në komision. Pavarësisht të gjitha këtyre, Rama na sinjalizoi tani se komisioni do vijojë punën dhe ai do të ketë në dorë edhe integrimin në BE, pasi nëse nuk përmbyllen kapitujt 23 dhe 24 nuk vijohet më tej. /Pamfleti
Lini një Përgjigje