Viktor Orban, i cili të parat vizita politike pas marrjes së presidencës së BE, i ka bërë në Moskë dhe Pekin. Po këtu te ne, a ka dorë Rusia e Kina?
Shqipëria ka firmosur sot grupkapitullin e parë të negociatave me BE-në, që në realitet është një proces i gjatë e pa një afat të caktuar.
Mali i Zi, i cili është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka firmosur disa kapituj, e ka nisur këtë proces në 2013-n, e sot pas 11 vjetësh nuk ka një datë për anëtarësim. Serbia po ashtu ka firmosur një numër të madh kapitujsh. Gjithsej janë 24 kapituj, e asnjëri nga dy vendet e rajonit nuk kanë shkuar as deri në gjysmë.
Arsyeja nuk është aspak teknike, por kryekëput politike. Ngecja e Ballkanit, përveç situatës problematike të demokracisë dhe shtetit ligjor në shtatë vendet e rajonit, ka ndodhur edhe si pasojë e stopimit që presidenti francez Emanuel Macron i ka bërë procesit të zgjerimit. Macron ka krijuar dy BE, një tip OJF-je ku marrin pjesë vendet kandidate plus Britaninë e Madhe, e cila doli me vullnet jashtë Bashkimit Europian, dhe komunitetit aktual. Franca, por edhe Gjermania kërkojnë që të ndryshojnë mekanizmin e funsionimit të BE-së ku të heqë fuqinë e vendeve të mesme e të vogla, të cilat mund të kërcëojnë me veton e tyre.
Ndërkaq, vendet e tjera, e kundërshtojnë këtë propozim dhe janë vënë si një ’digë’ kundër.
Në BE janë krijuar dy klube të kundërta që janë profiluar tashmë. Ai i Macron e Shchols që aleate kanë Ursula Von der Leyen, që duan ndryshimin, e nga ana tjetër Hungaria, Polonia dhe Italia që e kundërshtojnë këtë.
Më shumë se një përplasje shtetesh, kemi të bëjmë me dy lobe të kundërta politike, që po kthehen edhe në dy qasje të mëdha europiane. Ai i qeverisjes aktuale popullore, demokristiane, centriste dhe socialdemokrate dhe forcat sovraniste, që tashmë janë në pushtet në Poloni, Hungari e Itali, të cilat po avancojnë edhe në Francë e Gjermani.
Edi Rama, nuk ka nisur sot një flirt, një aleancë me të djathtët ekstremë. Që në vitin 2020, kur në mënyrë të papritur, Rama mbrojti Viktor Orbanin në median italiane, kur u arrestua një aktiviste e majtë, që sot është eurodeputete, Ilaria Salis.
Që atëherë Rama nisi një marrëdhënie transversale me Orban e më pas me Giorgia Melonin. Madje duke firmosur edhe marrëveshje ndarëse siç është ajo e emigrantëve të Gjadrit, duke thyer marrëdhëniet me të majtët europianë.
Ndërkohë, me Orban, por edhe me Melonin, duket se relacioni po shkon përtej politikës, drejt marrëveshjeve financiare.
Firmosja e sotme e Kapitullit të Parë të anëtarësimit, është shtyrë fuqishëm nga Presidenca Hungareze e BE-së. Orban e tha hapur dy ditë më parë me Edi Ramën në Budapest.
Kjo firmosje, ngjan fiks me ceremoninë e dorëzimit të kërkesës për anëtarësim, që Sali Berisha bëri në vitin 2009, nën presidencën çeke të BE-së. E pas ca ditësh i dha CEZ pronësinë e operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Dihet se si përfundoi në një vrimë të zezë korrupsioni. Edhe Orban, nuk është mbrapa çekëve. Sot në Shqipëri njerëzit pranë Viktor Orban kanë një bankë të rëndësishme, një kompani telefonike celulare, fikse dhe internet, disa grupe të vogla mikrokredish, e po flitet gjithjë e më shumë se po kërkojnë edhe OSSH-në.
Sot Hungaria ka arritur të kapë një fetë të madhe të tregut në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë etj..
Por gjithnjë e më shumë qarkullojnë shkrime, akuza, investigime e raporte, që thonë se pas këtyre investimeve qëndron Kina dhe Rusia. Dy nga aleatët më të ngushtë të Viktor Orban, i cili të parat vizita politike pas marrjes së presidencës së BE, i ka bërë në Moskë dhe Pekin.
Po këtu te ne, a ka dorë Rusia e Kina?
Nëse ka një injeksion kapitalesh, patjetër që po, e këto kapitale më shumë se për qytetarët i shërbejnë oligarkisë dhe sistemit që ka nxitur Edi Rama. I cili ka aleat Viktor Orbanin dhe miqtë e tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje