TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Tetor 2024, 17:13

Lajmi i keq që fshihet për pushtetarët e korruptuar pas hapjes së grup-kapitujve me BE!

Shkruar nga Pamfleti

Lajmi i keq që fshihet për pushtetarët e korruptuar pas hapjes

Si kapitujt 23-24 do të fundosin pushtetarët e korruptuar...

Pas shumë muajsh pritje, Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm sot drejt integrimit në BE.

Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE e mbledhur sot në Luksemburg, çeli negociatat për grup kapitullin e parë me Shqipërinë. Hungaria, e cila mban presidencën gjashtëmujore të BE-së, thirri Konferencën Ndërqeveritare, pasi vendet anëtare të bllokut u dakordësuan se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grup-kapitullit të parë që ka të bëjë me të drejtat themelore.

Ndonëse kryeministri u shfaq shumë i lumtur dhe madje nuk i kurseu batutat dhe elozhet, në fakt kjo ditë do të jetë një dhimbje koke për politikën dhe sidomos për ata që janë në radarët e drejtësisë. Kjo, pasi lufta ndaj korrupsionit do të jetë një element thelbësor për të shkuar tek anëtarësimi.

Për të qenë më të qartë, sot u hap Klasteri 1, i cili përfshin fushat dhe kapitujt e mëposhtëm negociues:

-Funksionimi i institucioneve demokratike

-Reforma e administratës publike

-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

Kriteret ekonomike

-Kapitulli 5 – Prokurimi publik

-Kapitulli 18 – Statistikat

-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

BE-ja vendosi gjithashtu standarde të përkohshme, si në nivelin horizontal për grupin, ashtu edhe për kapitujt 23 dhe 24 (kapitujt e sundimit të ligjit) që do të duhet të përmbushen përpara se të ndërmerren hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të këtij grupi.

Thelbi i gjithë takimit sot është pikërisht pjesa më sipër. Kriteret për kapitujt 23 dhe 24 që duhet të realizohen, pasi pa ta nuk ecet më tej. Kapitujt 23 dhe 24 janë “Thembra e Akilit”.

Para disa vitesh puna niste me kapitullin 1 që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave dhe mbyllej me kapitullin 33 që ka të bëjë me aspektin financiar e buxhetor. Por pas anëtarësimit të Rumanisë dhe Kroacisë, metodologjia ka ndryshuar. Kapitujt 23 dhe 24 hapen mes të parëve dhe mbyllen të fundit.  

Shqipëria duhet të: Përparojë më tej me krijimin e një regjistri për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të vëna nga veprat penale të korrupsionit; të thellojë më tej hetimet financiare; të finalizojë procedurat për themelimin e organeve të specializuara anti-korrupsion, të përbërë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Byroja Kombëtare e Hetimit për të ndëshkuar korrupsionin e nivelit të lartë deri në nivel politik. Përgjigjet e drejtësisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë kanë filluar të jenë konkrete dhe kjo duhet të vazhdojë”, thuhet në kapitullin 24.

Në të njëjtën linjë është dhe kapitulli 23, në të cilin thuhet: “Situata aktuale e sistemit gjyqësor në Shqipëri pasqyron tiparet e tranzicionit të shoqërisë sonë dhe, si e tillë, është akoma larg standardeve europiane. Qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me fenomene si korrupsioni, mungesa e profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat sjellin pengesa serioze në mirëfunksionimin e drejtësisë dhe ndikojnë në uljen e besimit të publikut në institucionet e saj. Për këtë arsye, shteti dhe shoqëria shqiptare janë tërësisht të interesuar për reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.

Kroacia dhe Rumania nisën arrestimet e bujshme pikërisht kur hapën këta kapituj. Atje u arrestuan me mijëra zyrtarë, përfshirë ish-kryeministrat, ministra, deputetë dhe krerë bashkish. Në Shqipëri kanë nisur arrestimet, por presioni tani do të jetë më i lartë dhe do të ketë më shumë mbështetje nga BE për SPAK. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje