TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Maj 2026, 19:06

Në Serbi i gjithë populli në këmbë për të rrëzuar Vuçiçin... në Shqipëri votojnë Saliun

Shkruar nga Pamfleti
Në Serbi i gjithë populli në këmbë për të
Protestat në Serbi dhe Berisha gjatë votimit

Në Beograd, dhjetëra mijëra studentë, profesorë, veteranë lufte dhe qytetarë mbushën rrugët kundër Aleksandër Vuçiçit. Në Tiranë, opozita shqiptare zhvillonte një referendum pa garë për të konfirmuar Sali Berishën. Dy kryeqytete ballkanike, dy pamje krejt të kundërta të asaj që quhet opozitë.

Në mbrëmjen kur Partia Demokratike në Shqipëri numëronte votat e një procesi pa rivalë, Beogradi po zien nga një revoltë masive qytetare.

Sheshi “Slavija”, zemra e protestave serbe, u mbush nga lumenj njerëzish që vinin nga të gjitha drejtimet. Kolona protestuesish marshuan për më shumë se 30 minuta pranë Presidencës serbe dhe Parlamentit, ndërsa rrugët kryesore të kryeqytetit u bllokuan nga turma që vazhdonte të shtohej orë pas ore.

Mediat serbe raportuan se protesta i ngjante asaj historike të 15 marsit, një prej mobilizimeve më të mëdha kundër regjimit të Vuçiçit. Organizatorët flasin për mbi 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa Arhivi i Tubimeve Publike paralajmëroi manipulime të shifrave nga policia dhe mediat pranë pushtetit.

Studentët, që janë kthyer në simbolin e revoltës në Serbi, nuk ishin vetëm. Me ta u bashkuan profesorë universitetesh, rektorë, artistë, veteranë lufte, aktivistë dhe parti opozitare nga i gjithë vendi.

Ju heshtët, e kur folët fyet qytetarët që qëndrojnë me ne”, deklaroi një studente nga skena në Slavija, duke e quajtur protestën “kërkesë të një populli të rebeluar dhe jo vetëm të studentëve”.

Rektorja e Universitetit të Arteve, Mirjana Nikoliç, sulmoi drejtpërdrejt regjimin: “Ata që mendojnë se janë zotër të këtij vendi kanë frikë nga njerëzit që mendojnë me kokën e tyre.”

Ndërkohë, regjimi i Vuçiçit reagoi me tension dhe frikë. Serbia pezulloi qarkullimin e trenave në të gjithë vendin pas një alarmi anonim për bomba, një veprim që opozita dhe eurodeputetë europianë e interpretuan si përpjekje për të penguar qytetarët të shkonin në protestë.

Rreth Presidencës u vendosën kordone të shumta policie dhe dhjetëra automjete të forcave speciale. Në rrjetet sociale qarkulluan video përplasjejesh mes mbështetësve të pushtetit dhe protestuesve, ndërsa pushteti përpiqej ta etiketonte protestën si “cirk”.

Por, pavarësisht presionit, njerëzit vazhdonin të mbërrinin në Slavija nga Novi Beogradi, Zemuni, Çaçaku, Kraleva, Nishi dhe qytete të tjera. Në shumë qytete u organizuan protesta solidariteti me studentët e Beogradit.

Dhe pikërisht në këtë ditë, në Shqipëri ndodhte krejt e kundërta.

Teksa studentët serbë frymëzojnë opozitën dhe dalin në rrugë kundër pushtetit, opozita shqiptare dukej e mbyllur në një ritual politik pa garë.

Sali Berisha, 35 vite në politikë, kandidonte i vetëm për kreun e PD-së. Nuk kishte debat, nuk kishte rival, nuk kishte alternativë. Vetëm votim formal dhe shtyrje të orarit të procesit deri në 19:00 në disa degë, për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

Ironia bëhet edhe më therëse kur krahasohen dy realitetet:

Në Serbi, studentët po prodhojnë liderë të rinj dhe po sfidojnë establishmentin. Në Shqipëri, opozita vazhdon të sillet rreth të njëjtit emër pas tri dekadash.

Në Beograd, pushteti frikësohet nga protesta. Në Tiranë, opozita frikësohet nga gara.

Në Serbi, qytetarët kërkojnë ndryshim. Në Shqipëri, opozita voton për vazhdimësi.

Dhe ndërsa në Slavija dëgjoheshin thirrje kundër regjimit, në Tiranë demokratët votonin në një fletë ku kishte vetëm një emër. /Pamfleti

serbi protesta berisha

3 Komente

  1. T
    Tarrasi

    E ardhmja e vendit...

    1. M
      Met Paticka

      NUK ESHTE AS PER ME QESH AS PER ME BO GALLAT. KJO QE PO NDODH ME KET PLAK TELEL DUHET TE MAR FUND SE PO MER NÇAF PD DHE OPOZITN. DIKUSH DUHET ME E HEQ QAFE NGA POLITIKA KET VEMJE PA MORAL QE EDI RAMA E DON ME MBAJT SE I SHTO QENDRIMIN NPUSHTET. SDI ME THAN SI DUHET HEQ POR MENDOJ SE VEÇ SPAK MUND TA MAR SERIOZISHT E MOS ME E FAL SE ESH I SHKUM NMOSHE. PINOÇETI ISHTE TEK 90 VITET DHE SE FALI KUSH POR E RASN NBURG DHE IA KONFISKUN PASNINE. KSHU DUHET ME VEPRU DHE ME KET PINOÇET TE SHQIPNISE. SKA MNYRE TJETR. KY ESH I PACIP E I PA TURPNUM. INTRIGANT QE HEDH GURN E FSHE DORN.I PABES

      1. D
        Devolliu

        Me njeren dore votojne Berishen me doren tjeter i krehin koken tullace Edvinit. Popull heroik!!

        Lini një Përgjigje