Kanë nisur të publikohen rezultatet e para nga votimi për kreun e Partisë Demokratike, ku kandidati i vetëm është Sali Berisha, ndërsa procesi në disa qendra votimi është shtyrë deri në orën 19:00.
Në degën e PD-së në Sarandë, referendumi për Berishën është mbyllur me 181 vota pro nga 229 votues në total. Sipas të dhënave, 40 demokratë kanë votuar kundër, 3 kanë abstenuar dhe 5 vota janë shpallur të pavlefshme.
Ndërkohë, në Gjirokastër, 270 anëtarë kanë votuar pro Berishës, ndërsa 11 janë shprehur kundër. Po ashtu janë regjistruar 5 abstenime dhe 5 vota të pavlefshme.
Nga 400 votues të PD në Përmet, vetëm 228 prej tyre morën pjesë në referendum. 217 prej tyre kanë votuar pro, 9 kundër dhe 2 kanë abstenuar.
Procesi i votimit është shoqëruar gjatë gjithë ditës me debate dhe akuza nga zëra kritikë brenda Partisë Demokratike, të cilët e kanë cilësuar votimin një “farsë” për shkak të mungesës së garës reale, pasi Sali Berisha kandidon pa rivalë për drejtimin e partisë.
Në disa degë të PD-së, komisionet vendosën shtyrjen e orarit të votimit deri në 19:00, me argumentin për t’u dhënë mundësi anëtarëve të marrin pjesë në proces. Megjithatë, kritikët e kanë parë këtë si përpjekje për të rritur pjesëmarrjen në një proces që sipas tyre është shoqëruar me interes të ulët nga baza demokrate.
Lini një Përgjigje