TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Maj 2026, 16:44

Ndarja nga jeta e aktorit Birçe Hasko, reagon Presidenti Begaj: Humbje për artin shqiptar!

Shkruar nga Pamfleti
Ndarja nga jeta e aktorit Birçe Hasko, reagon Presidenti Begaj: Humbje
Presidenti Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Birçe Hasko, duke e cilësuar atë një nga figurat më të spikatura të artit shqiptar.

Kreu i shtetit vlerësoi kontributin e Haskos në skenë dhe kinematografi, por edhe rolin e tij në formimin e aktorëve të rinj si pedagog.

Sipas Begajt, Birçe Hasko la gjurmë të rëndësishme në artin shqiptar përmes interpretimeve në teatër dhe film, ndërsa për shumë vite iu përkushtua edhe mësimdhënies.

“Bota e artit shqiptar humbi sot një nga figurat më të spikatura të saj. Përveçse la gjurmë të çmuara si një aktor i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Birçe Hasko ia kushtoi jetën edhe edukimit, si pedagog i nderuar i shumë brezash aktorësh. Lamtumirë “Mjeshtri i Madh” Birçe Hasko!”, shkruan Begaj.

Aktori Birçe Hasko, një prej figurave të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai u vlerësua ndër vite për interpretimet në role dytësore, ku solli karaktere të spikatura dhe të veçanta në skenë dhe ekran.

Një nga rolet më të njohura të tij mbetet Milo Tafani në filmin “Shi në Plazh”, i konsideruar si një nga interpretimet më të realizuara të karrierës së tij artistike. Në teatër interpretoi mbi 12 role, ndërsa në kinematografi la gjurmë në dhjetëra filma shqiptarë.

Debutimi i tij në film erdhi në vitin 1971 me rolin e Sulo ballistit në “Kur zbardhi një ditë”. Më pas ai u bë pjesë e më shumë se 30 prodhimeve kinematografike.

Ndër personazhet më të njohur të interpretuar prej tij janë Abaz Kola te “Shtëpia me dy porta”, Shazo te “Familja e peshkatarit”, Osmani te “Malet me blerim mbuluar”, Tosun Baçi te “Njeriu me top” dhe tellalli te “Koncert në vitin 1936”.

Birçe Hasko u dallua veçanërisht për interpretimin e figurave popullore dhe roleve me nota komike, duke sjellë në ekran karakterin dhe të folmen e jugut të Shqipërisë. Ai lindi më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës dhe mbeti për publikun një nga fytyrat më të njohura të kinemasë shqiptare.

presidenti bajram begaj aktori birçe hasko

1 Komente

  1. D
    D b

    I perjetshem wofte kujtimi i yij!

    Lini një Përgjigje