
Liderët e politikës kanë përcjellë mesazhe urimi për të gjithë besimtarët e krishterë, në këtë mbrëmje të Krishtlindjes.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi që urimin ta bënte përmes një tablo të rrallë të lindjes së Krishtit, pikturuar në atelienë e Çetirëve në muzeun e Onufrit Berat.
“Me këtë tablo të rrallë të lindjes së Krishtit, pikturuar në atelienë e Çetirëve, si simbol i dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit, ju uroj bekime dhe festa të bardha”, shkruan Rama.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar qytetarët e Tiranës përmes një videomesazhi, ku dhe ka folur për projektet që e presin Kryeqytetin në vitin 2024.
“Këto janë ditët e fundit të një viti të jashtëzakonshëm, të mrekullueshëm për Tiranën. Unë jam krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku, duke nisur nga pritja bujare e mbi 10 milion turistëve, ku shumica vizituan Tiranën dhe pastaj gjithë vendin tonë, e deri te çerdhet, kopshtet e shkollat e reja, që ndërtuam për fëmijët e këtij qyteti këtë vit. Pa harruar këtu edhe projekte të mëdha siç ishte Piramida, transformimi i së cilës zuri faqet e para të shumë mediave botërore, e që sot gjallon nga zërat e fëmijëve dhe të rinjve, si shkolla më e madhe në Ballkan për punët e së ardhmes”, shprehet ai.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe shqiptarët, për festën e Krishtlindjes.
“Krishtlindja është lindja e shpresës, burimi i paqes, fuqia e dritës mbi errësirën dhe konfirmimi më i qartë i dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit. Gëzuar të gjithë besimtarëve, gëzuar të gjithë shqiptarëve. Bekimet dhe ngrohtësia e dashurisë së Zotit qofshin gjithmonë me ju e veçanërisht për të gjithë ata që sot përballen me varfërinë, sëmundjet dhe padrejtësitë. Gëzuar”, thuhet në mesazhin e kreut të PL-së.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes një postimi në Facebook, ka uruar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët e krishterë.
“Të dashur besimtarë të krishterë, ju uroj nga zemra Gëzuar Krishtlindjen! Drita që lind nga errësira e kësaj nate të shenjtë i mbushtë me shpresë dhe besim zemrat tuaja. Zoti na udhëheqtë drejt mirësisë, paqes dhe begatisë për çdo shqiptar. Krishtlindje të bekuar dhe nga mot gëzuar”, tha Basha.
Lini një Përgjigje