Që në qershorin e vitit 2022, PS zvarrit çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ndërkohë opozita merret me hallet e saj dhe nuk e përmend më si çështje...
Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca qeverisëse duket se kanë vendosur të mos e lënë Olta Xhaçkën të bjerë në humnerë. Ndonëse e shkarkoi si ministre dhe i dha dorë të lirë SPAK-ut, kryeministri Edi Rama duket se ka vendosur ta mbrojë sa i takon çështjes së mandatit të deputetes.
Burri i Olta Xhaçkës, ish-deputeti Artan Gaçi u shpall nga qeveria investitor Strategjik dhe ju dha tokë në bregdet për të ndërtuar resort luksoz në Jug. Për opozitën ky është konflikt i pastër interesi dhe në muajin qershor të viti 2022 ju drejtua me një kërkesë Kuvendit, duke kërkuar që t’i hiqet mandati i deputetes Olta Xhaçkës.
Partia Socialiste nisi në atë kohë manovrat dhe pas diskutimeve në Këshillin e Mandateve, e rrëzoi kërkesën e opozitës. Por PD bëri ankimim në Kushtetuese dhe gjykata i dha shuplakë mazhorancës. Ajo u shpreh qartë se në një rast të tillë, Kuvendi shërben vetëm si noter, ku certifikon kërkesën e opozitës dhe më pas kalon çështja në Kushtetuese. Është kjo e fundit që vendos nëse duhet apo jo t’i hiqet mandati.
Por si kurrë më parë, PS i dha vetes kompetenca të interpretonte vendimin e Kushtetueses. Ata mblodhën Këshillin e Legjislacionit dhe përmes ekspertëve të ndryshëm arritën në përfundimin se Kushtetuesja kishte gabuar. Pas rezistencës së opozitës, u vendos që çështja të kalojë sërish te Këshilli i Mandateve për diskutim. Mirëpo që në verë nuk ka pasur asnjë mbledhje. Janë 18 muaj që kjo çështje mbahet në sirtar. Madje pak ditë më parë përfaqësues të Kuvendit thanë se nuk kanë asnjë plan ta fusin në kalendar. Lindita Nikolla është ajo që drejton Konferencën e Kryetarëve dhe kjo çështje nuk është përmendur fare, bazuar dhe te procesverbalet e mbledhjeve.
Xhaçka ja hodhi edhe këtë vit, teksa duket se dhe vitin që vjen PS do vijojë me zvarritjet, duke përfituar dhe nga kaosi i opozitës. PD merret me hallet e saj dhe me revoltën në seancë, duke mos e përmendur më këtë çështje. Nuk ka pasur asnjë kërkesë që të nisin diskutimet, ndryshe nga sa ndodhte një vit më parë. Pra me pak fjalë edhe opozita e ka parë si betejë të humbur. /Pamfleti
Lini një Përgjigje