Kryeministri britanik Andy Burnham thotë se është i gatshëm të kritikojë presidentin Donald Trump, nëse Shtetet e Bashkuara prekin interesat e Britanisë së Madhe.
Në intervistën e tij të parë si kryeministër, dhënë për BBC, Burnham theksoi se mbrojtja e interesit kombëtar do të jetë gjithmonë përparësia e tij.
“Sigurisht. Duhet të mbrosh interesin kombëtar të vendit tënd mbi gjithçka tjetër. Kjo është detyra jote nëse do ta kryesh siç duhet këtë funksion”, tha kryeministri i Britanisë së Madhe.
Edhe pse e përshkroi bisedën e parë me Donald Trump si “shumë të ngrohtë”, Burnham shmangu ti përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes nëse i beson presidentit amerikan.
Sipas tij, bota po ndryshon vazhdimisht dhe qëndrimet duhet të përshtaten me zhvillimet.
Burnham zbuloi gjithashtu se ishte I shqetësuar për vendimin e presidentit amerikan për nisjen e konfliktit me Iranin, duke theksuar se nuk do të hezitojë të shprehë mendimin e tij kur ta gjykojë të drejtë.
Në intervistë, kreu i qeverisë britanike u ndal edhe te shpenzimet për mbrojtjen. Ai nuk dha një afat se kur Britania do të arrijë objektivin për të investuar 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në sektorin e mbrojtjes, duke deklaruar se prioritet mbetet financimi i plotë i planit aktual të investimeve ushtarake përpara hartimit të buxhetit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, Burnham përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare para vitit 2029, duke thënë se qytetarët nuk i duan zgjedhjet.
Lini një Përgjigje