TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Maj 2026, 17:27

Merr fund bllokada, BE pranë miratimit të raportit IBAR për Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti
Merr fund bllokada, BE pranë miratimit të raportit IBAR për
Foto ilustruese

Nëse arrihet konsensusi në nivelin e COELA-s, hapi i radhës procedural do të jetë miratimi i draftit në mbledhjen e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare (COREPER), e planifikuar për 22 maj.

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë pranë arritjes së një konsensusi mbi draftin e qëndrimit të përbashkët të BE-së lidhur me raportin IBAR të Shqipërisë, bëjnë të ditur burime nga Këshilli i BE-së për European Western Balkans.

Diskutimet në kuadër të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet negociuese për anëtarësim në BE (COELA) vijojnë ende dhe deri tani nuk është arritur një marrëveshje formale. Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, vendet anëtare janë afruar drejt një kompromisi, duke shënuar progres krahasuar me fillimin e muajit prill, kur afatet për këtë proces mbeteshin të paqarta.

Nëse arrihet konsensusi në nivelin e COELA-s, hapi i radhës procedural do të jetë miratimi i draftit në mbledhjen e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare (COREPER), e planifikuar për 22 maj.

Sipas "European Western Balkans", çështja mund të miratohet si një “I-item”, procedurë që nënkupton aprovimin nga ambasadorët e vendeve anëtare pa debat shtesë.

Në rast se COREPER miraton qëndrimin e përbashkët të BE-së, kjo do të hapte rrugën për zhvillimin e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë në ditët në vijim. Megjithatë, burimet theksojnë se nuk mund të ketë konfirmim zyrtar për konferencën përpara përfundimit të procedurës në COREPER.

Raporti IBAR përfaqëson vlerësimin e Komisionit Europian mbi përmbushjen e kritereve të ndërmjetme në kuadër të Grupkapitullit 1 – “Themeloret”, i cili përfshin fusha si shteti i së drejtës, sistemi gjyqësor, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe reforma në administratën publike.

Një vlerësim pozitiv i IBAR-it konsiderohet kyç për avancimin e mëtejshëm të negociatave të anëtarësimit dhe për mbylljen eventuale të kapitujve negociues. Shqipëria, e cila tashmë ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave, nuk mund të ecë përpara pa një raport pozitiv.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian në korrik të vitit 2022, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Grupkapitulli “Themeloret” u hap gjatë vitit 2024, ndërsa gjatë vitit 2025 u hapën edhe grupkapituj të tjerë, duke e futur procesin në fazën e përmbushjes së kritereve të ndërmjetme dhe avancimit të negociatave.

be ibar integrimi

Lini një Përgjigje