
Partia Demokratike do të zhvillojë të shtunën referendumin për kryetarin e saj, por ende nuk është përcaktuar numri i saktë i anëtarëve që do të kenë të drejtë vote në këtë proces.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, tha se në disa degë të partisë procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, çka ka sjellë vonesa edhe në finalizimin e listave të votuesve.
“Në disa degë ende nuk ka përfunduar procesi zgjedhor”, u shpreh Kaso, duke sqaruar se për këtë arsye nuk është përcaktuar ende numri final i anëtarëve me të drejtë vote.
Kaso bëri me dije se fleta e votimit për referendumin e 23 majit tashmë është miratuar dhe se demokratët do të pyeten nëse Sali Berisha duhet të vijojë apo jo në krye të Partisë Demokratike.
Sekretari për Çështjet Ligjore hodhi poshtë edhe pretendimet se kandidatura e Berishës bie ndesh me statutin e partisë.
“Kandidatura e zotit Berisha ka kaluar të gjitha filtrat e organeve të partisë”, deklaroi ai për "A2 CNN".
Sa i takon ndryshimeve statutore që pritet të miratohen në Kuvendin Kombëtar të 30 majit, Kaso konfirmoi se grupi i punës ka marrë shumë propozime, por ende nuk është vendosur se cilat prej tyre do të përfshihen në draftin përfundimtar.
Lini një Përgjigje