Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlametar të PD-së, iu përgjigj Kryeministrit Edi Rama, që nuk nguroi t’i etiketonte si “mërgata qyqesh” ligjvënës të opozitës që zhvillojnë takime në Berlin dhe Bruksel, që sipas tij po tentojnë të pengojnë integrimin e BE-së.
Bardhi në reagimin e tij shprehet se pengesat për integrimin europian të Shqipërisë lidhen drejtpërdrejt me qeverinë dhe mazhorancën aktuale.
“Vizita treditore në Berlin na bëri edhe më shumë me dije se ku qëndrojnë problemet, se kush janë pengesat e Shqipërisë në procesin e integrimit. Fatkeqësisht, 100% e pengesave, 100% e problemeve janë shkaktuar nga qeveria dhe mazhoranca aktuale qeverisëse”, u shpreh Bardhi në një videomesazh nga Berlini.
Duke iu referuar takimeve në Berlin, Bardhi tha se në fokus ishte nevoja për zbatimin real të standardeve europiane dhe garantimin e një procesi politik që mbështetet në zgjedhje të lira dhe institucione funksionale.
“Prandaj, sot duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe një qeverisje të përgjegjshme që punon për interesin publik dhe për integrimin e Shqipërisë”, theksoi ai.
Gjatë vizitës në Berlin, delegacioni i opozitës shqiptare, i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, zhvilloi një seri takimesh me personalitete gjermane me ndikim në procesin e integrimit të Shqipërisë, përfshirë ministrin e Shtetit për Europën, Günther Krichbaum; Kryetarin e Komisionit të Jashtëm, Armin Laschet; raportuesin për Shqipërinë në Bundestag, Peter Beyer; Kryetarin e Komisionit për Europën, Anton Hofreiter; zëvendëskryetaren e Grupit Parlamentar të CDU në Bundestagut, Patricia Lips; si dhe Kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Mechthild Heil.
Delegacioni zhvilloi takime edhe me deputetët Knut Abraham, Tilman Kuban dhe Jürgen Hardt, të cilët janë të përfshirë në çështjet e politikave europiane dhe të zgjerimit në Bundestag, si dhe me Drejtorin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Niels von Redecker.
Në takimin e sotëm me ministrin për Europën Krichbaum, deputetët e opozitës i kanë shprehur zyrtarit të lartë të Qeverisë Federale mirënjohjen për mbështetjen që Gjermania po i jep integrimit europian të Shqipërisë, në një proces që bazohet në meritë dhe arritjen e standardeve.
“Integrimi në BE nuk është propagandë, por standarde dhe meritë. Dhe sot, këto standarde po shkelen nga Edi Rama. Barazia përpara ligjit po shkelet dhe korrupsioni po merret në mbrojtje politikisht”, janë shprehur ato gjatë takimit.
Vazhdoni ne Berishen se populli do t'ju ndjeke prrrrrrrr