Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedim në rrjetet sociale me ndjeklsit ka dhënë disa detaje për protestën kombëtare të opozitës që do të mbahet nesër.
Ai tha se deputetët nuk do të jenë në vijën e parë, por do të shpërndahen pranë qytetarëve të zonave të tyre, për të ndihmuar organizimin dhe pjesëmarrjen në terren.Berisha shpjegoi se ditët e fundit ka pasur punë intensive për mobilizimin e qytetarëve dhe theksoi se protesta duhet të jetë e strukturuar mirë, për të siguruar që mesazhi i opozitës të arrijë tek qytetarët.
Ky vendim u mor si një taktike për të rritur koordinimin dhe për të shmangur konfuzionin gjatë tubimit.
Berisha, gjithashtu nënvizoi rolin vendimtar të strukturave lokale të Partisë Demokratike për organizimin e protestave.
“Mendoj se strukturat e PD-së, sot më shumë se kurrë, duhet t’i përgjigjen misionit të tyre, pasi ky mision është shpëtimtar për Shqipërinë dhe opozita është shpresa e vetme për këtë vend.Së dyti, protesta e qëndrueshme dhe e vazhdueshme është rruga e vetme e përmbysjes së regjimit”, tha Berisha.
Tubimi që do të nisë në orën 18:00 pason protestën e mëparshme, e cila agravoi me hedhjen e koktejve të molotovit në ambientet e vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Ndërkohë, përmes një mesazhi që selia blu u ka shpërndarë strukturave të PD mësohet se tubimi do të nisë prpara Kryeministrisë, por mbetet e paqartë se si do të vijojë, pasi nuk bëhen të ditura skenarët.
“Të dashur demokratë, Edi Rama është izoluar ndërkombëtarisht. Në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk ndalet deri në largimin e tij, deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Detyra jonë, është ta rrëzojmë. E diel, Ora 18.00 – Në Bulevard”, thuhet në mesazhin e që ka mbërritur në strukturat e PD-së.
Kujtojmë se në protestën e kaluar nuk pati fjalime politike, as podium të ngritur në boulevard, por një marshim në disa pika kryesore, si Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti apo selia e PS, i cili zgjati për tre orë.
Lini një Përgjigje