Stadiumet e mbushura me tifozë, aeroportet me fluks të lartë udhëtarësh dhe ardhja e vizitorëve nga e gjithë bota për Kupën e Botës 2026 po shtojnë shqetësimet e ekspertëve të shëndetit publik lidhur me përhapjen e sëmundjeve infektive.
Në fokus të autoriteteve shëndetësore është fruthi, një nga sëmundjet më ngjitëse, e cila po rikthehet me ritme shqetësuese në Amerikën e Veriut.
Specialistët paralajmërojnë se grumbullimet e mëdha të njerëzve gjatë turneut mund të krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e virusit. Sipas Dr. Krutika Kuppalli, eksperte e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore UT Southwestern në Dallas, fruthi përbën aktualisht shqetësimin kryesor për autoritetet shëndetësore.
Alarmi vjen në një periudhë kur rastet e fruthit në Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rritje të ndjeshme. Vetëm gjatë vitit 2026 janë raportuar afro 2 mijë raste, një numër që tashmë i afrohet totalit të rasteve të regjistruara gjatë gjithë vitit 2025. Situata paraqitet shqetësuese edhe në Meksikë dhe Kanada, dy vendet e tjera organizatore të Botërorit.
Më herët, Organizata Panamerikane e Shëndetësisë (PAHO) kishte ngritur alarmin, duke raportuar se rastet e fruthit në Amerikën e Veriut u dyfishuan gjatë vitit 2025 krahasuar me një vit më parë. Sipas drejtorit të përgjithshëm të organizatës, Jarbas Barbosa, rritja është përshpejtuar edhe më shumë gjatë vitit 2026, me mbi 15,300 raste të konfirmuara në rajon.
Ekspertët theksojnë se fruthi mund të qëndrojë në ajër deri në dy orë pasi një person i infektuar largohet nga ambienti, çka e bën jashtëzakonisht të lehtë transmetimin në vende me përqendrim të madh njerëzish si stadiumet, aeroportet, hotelet, restorantet dhe transporti publik.
Epidemiologia amerikane Katelyn Jetelina paralajmëroi se edhe një rast i vetëm mund të shkaktojë një zinxhir të gjerë infektimesh. Sipas saj, fruthi qarkullon në shumë vende të botës dhe mund të përhapet me shpejtësi të madhe në komunitete ku ka persona të pavaksinuar.
Autoritetet shëndetësore në qytetet pritëse të Kupës së Botës po përgatiten për një sfidë të konsiderueshme. Komisioneri i Shëndetësisë së Filadelfias, Palak Raval-Nelson, e përshkroi situatën si një “maratonë”, duke iu referuar përpjekjeve afatgjata që do të kërkohen për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive gjatë turneut.
Ndërkohë, PAHO vazhdon të apelojë për rritjen e mbulimit me vaksina, duke kujtuar se një person i infektuar me fruth mund ta transmetojë virusin te deri në 18 persona të pambrojtur. Sipas organizatës, vaksinimi mbetet mjeti më efektiv për të frenuar përhapjen e sëmundjes dhe për të shmangur një emergjencë shëndetësore gjatë ngjarjes më të madhe sportive në botë.
Lini një Përgjigje