Detaje të reja dalin në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ngjarje për të cilën policia ka shpallur në kërkim mikun e tij të ngushtë, Armand Shakaj, si autor të dyshuar.
Mësohet se Shakaj ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës, ku hetuesit besojnë se mund të jetë zhvendosur edhe trupi i 34-vjeçarit.
Sipas grupit hetimor, lëvizja e automjetit me karrotrec dyshohet se është bërë për të shmangur kontrollet policore dhe për të mos tërhequr vëmendje. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur më 6 qershor.
Verifikimet e kamerave të sigurisë kanë ngritur dyshime se trupi i Eglant Koçit mund të jetë mbajtur në automjet për rreth një ditë e gjysmë, ndërsa kontaktet e fundit të tij me familjarët datojnë më 4 qershor.
Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje drejtuesin e karrotrecit, i cili ka deklaruar se e transportoi automjetin pranë një servisi në Ibë pasi Shakaj i kishte thënë se makina kishte pësuar defekt. Sipas dëshmisë së tij, ai nuk kishte dijeni për çfarë mund të ndodhej brenda mjetit.
Ndërkohë, ekspertët kanë konstatuar gjurmë mbetjesh baruti në ambientet e zyrës ku dyshohet se është mbajtur Koçi. Hetuesit janë në pritje të rezultateve të analizave laboratorike, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Prej disa ditësh, policia po zhvillon kërkime intensive në zonat e Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit për gjetjen e trupit të Eglant Koçit, ndërsa paralelisht vijojnë përpjekjet për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 41-vjeçari ka ndryshuar të paktën gjashtë numra telefoni gjatë ditëve të fundit, në një përpjekje për t’iu shmangur gjurmimit nga autoritetet ligjzbatuese.
Lini një Përgjigje