Fitorja 2-0 e Meksikës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 nuk solli vetëm tre pikët e para të turneut. Takimi i zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca” u fut në histori edhe për disa rekorde dhe statistika të veçanta që mund të kenë kaluar pa u vënë re nga shumë tifozë.
1. Një ndeshje hapëse që rikthehet pas 16 vitesh
Meksika dhe Afrika e Jugut përsëritën duelin e Kupës së Botës 2010, kur u përballën në ndeshjen inauguruese të turneut në Johannesburg, e cila përfundoi në barazim 1-1. Pas 16 vitesh, të dyja kombëtaret u takuan sërish në sfidën hapëse, duke vendosur një precedent unik në historinë e Botërorëve: për herë të parë e njëjta ndeshje hapëse luhet dy herë.
2. “Azteca” forcon statusin e saj legjendar
Stadiumi ikonik i Mexico City vazhdoi të shkruajë histori. Përballja mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut ishte ndeshja e 20-të e Kupës së Botës e zhvilluar në “Azteca”, duke e bërë atë stadiumin me më shumë ndeshje të këtij kompeticioni se çdo impiant tjetër në botë. Arena meksikane kryeson renditjen me pesë takime më shumë se ndjekësi më i afërt.
3. Meksika, rekord pas rekordi pa fituar trofeun
Kjo ishte pjesëmarrja e 18-të e Meksikës në një Kupë Bote, më shumë se çdo kombëtare tjetër e zonës CONCACAF. Megjithatë, përfaqësuesja meksikane vazhdon të mbajë një rekord jo fort të dëshiruar: është skuadra që ka zhvilluar më shumë ndeshje në historinë e turneut pa arritur të fitojë trofeun, me totalin që ka shkuar në 60 takime.
4. Gilberto Mora, fytyra e gjeneratës së re
Ndeshja solli edhe një moment simbolik për futbollin meksikan. Gilberto Mora u bë lojtari i parë i lindur pas finales së Kupës së Botës 2006 që aktivizohet në këtë edicion të turneut, duke shënuar zyrtarisht ardhjen e një brezi të ri në skenën më prestigjioze të futbollit botëror.
5. Më shumë kartonë të kuq se gola
Takimi u karakterizua nga tensioni i lartë dhe ndërhyrjet e ashpra, duke detyruar arbitrin të nxirrte tre kartonë të kuq. Si pasojë, ndeshja regjistroi më shumë përjashtime sesa gola të shënuar, një statistikë mjaft e rrallë në historinë e Kupës së Botës. Ndërkohë, Afrika e Jugut u bë kombëtarja e parë që ndëshkohet me dy kartonë të kuq në një ndeshje të Botërorit që nga viti 2006, kur Portugalia dhe Holanda protagonizuan përballjen e famshme të quajtur “Beteja e Nurembergut”.
Lini një Përgjigje