Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së u ka lënë disa porosi socialistëve për të përmbushur kushtet e BE.
“Është shumë e rëndësishme që të rrisim në mënyrë të ndjeshme informimin dhe koordinimin e grupit tonë parlamentar për procesin e negociatave dhe bashkë me detyrat për t’u përmbushur të nxisim përcjelljen e gjithë këtij materiali në territor”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria ka nevojë të forcojë Kuvendin në aspektin e teknologjisë.
“Kemi nevojë të forcojmë Kuvendin në aspektin e teknologjisë”, u shpreh kreu i qeverisë, në mënyrë që të krijohet një mburojë sa më e mirë për sulmet kibernetike.
Kujtojmë këtu, se pak ditë më parë, një grup hakerash iranianë “Homeland Justice” sulmoi strukturën teknologjike të Kuvendit të Shqipërisë, duke publikuar në Telegram edhe llogaritë e emaileve të disa prej deputetëve.
Numri një i kabinetit foli për Komisionin e Etikës, nën drejtimin e Lindita Nikollës, që këto muaj sipas tij duhet që të “çmontojë fenomenet që duhen luftuar në gjirin e administratës, e sidomos në nivelet drejtuese të saj”.
Sipas Ramës, Raporti i KE për Shqipërinë është i shkëlqyer dhe se nuk ka mërgatë qyqesh në Berlin e Bruksel që e ndal këtë rrugëtim.
“Duhet të përballemi me llumin që vjen nga 4 anët. Deri dje, dilnin kudo e thoshin, kjo është imagjinare, s’ka për të ndodhur kurrë! Është lojë e Edi Ramës, dhe papritur para disa javësh u turrën të gjithë nëpër ekrane e tenxhere se sapo ishim te dera, na e prishën.
Sapo hymë, na e hodhën në erë! Madje, madje, më ka bërë shumë përshtypje dhe është gjynah që ata njerëz që i ofrohen publikut si analistë, nuk merren me një pagë goxha të madhe në emisionet humoristike. Janë humoristët më të mirë që kam parë se i thonë shumë seriozisht të gjitha ato që thonë.
More, si është e mundur, sot, pikërisht sot që dera ishte ehapur dhe të gjithë na prisnin të bëheshim anëtarë, këta bëjnë në Parlament të kundërtën?! Përtej farsës, kjo ka nevojë të komunikohet. Ka nevojë t’u thuhet njerëzve e vërteta e thjeshtë fare, se negociatat nuk kanë ndalur asnjë sekondë”, tha Rama teksa u ndal te procesi i negociatave me Bashkimin Europian.
“Nuk ka mërgatë qyqesh në Bruksel që e ndal Shqipërinë në këtë proces. S’ka më asnjë shans se ata që i grabitën kohën e një kombi, të vazhdojnë ta grabisin”, tha Rama, referuar kështu akuzave nga ana e opozitës.
Lini një Përgjigje