
Një gjykatë federale në Nju Jork ka marrë një vendim për “non grata” sipas nenit 7031(c)...
Një gjykatë federale në SHBA ka legjitimuar shpalljet “non grata” të firmosura nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Një sentor nga Liberia (shtet afrikan), u shpall i padëshiruar nga Blinken në bazë të nenit 7031(c), i njëjti nen mbi bazë të së cilit u shpallën “non grata” Sali Berisha, Tom Doshi, Adriatik Llalla apo Vangjush Dako.
Ndryshe nga Berisha, i cili tentoi të bënte një padi në Paris, senatori Margibi J. Emmanuel Nuquay ka bërë një padi në Gjykatën e Nju Jorkut, e cila sot ka marrë vendim për ta rrëzuar kërkesën e tij, raportojnë mediat amerikane.
Ankimi i tij erdhi pasi politikani nga Liberi ka kërkuar që të marrë pjesë në mbledhjen e OKB.
Por sipas mediave, gjykatësi Andrew L. Carter, i cili dha vendimin, u bazua në aktin e Departamentit të Shtetit të SHBA më 12 dhjetor 2023, duke përcaktuar publikisht Nuquay dhe zyrtarë të tjerë liberianë se nuk mund të shkelin në SHBA për shkak të akuzave për korrupsion.
Më 19 shtator 2024, Senatori Nuquay, paditi sekretarin e atëhershëm të shtetit Antony Blinken, të ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA në atë kohë, Catherine Rodriguez, Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara dhe Misionin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara në OKB si të paditur.
Në kundërargumentin e tij, Departamenti i Shtetit i shkroi gjykatës se duhet të zbatojë "doktrinën konsullore të mos rishikueshmërisë". Kjo doktrinë e ndalon gjykatën të gjykojë vendimin e qeverisë për të përjashtuar ose refuzuar vizën për një individ të caktuar. Përjashtim nga ky rregull është nëse Kongresi Amerikan autorizon në mënyrë specifike shqyrtimin gjyqësor të një rasti të caktuar.
Sipas gjykatësit, i vetmi që mund të vendosë për anulimin e përcaktimeve është Sekretari i Shtetit, por dhe ai në raste shumë specifike.
"Sekretari i Shtetit mund të heqë dorë nga sanksioni nëse përcakton se heqja dorë do t'i shërbente një interesi kombëtar ose se rrethanat që shkaktuan sanksionimin kanë ndryshuar ndjeshëm", thekson gjykata.
Pra Marco Rubio duhet të marrë një vendim për këdo që mendon se duhet t’i hiqet sanksionimi, nëse ka rrethana të tjera. Kjo do të thotë se edhe Berisha nëse do që t’i hiqet damka e “non gratës” duhet të lobojë fort deri te Sekretari i Shtetit. Por sërish Rubio duhet të marrë këtë vendim nëse heqja e “non gratës” për Berishën i shërben interesit kombëtar të SHBA. /Pamfleti
Lini një Përgjigje