TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Tetor 2025, 08:36

Konfiskime, kërcënime, arrogancë pa limit; si pritet të jetë mandati i 4 i Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Konfiskime, kërcënime, arrogancë pa limit; si pritet të

Edi Rama e ka të qartë se përballë ka një opozitë që ende nuk po arrin të ri-organizohet, ndërsa numrat e saj në sallën e Parlamentit janë ‘makijazh’ për të treguar se ka pluralizëm...

Edi Rama në 11 maj mori mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër, duke siguruar një shumicë jo vetëm solide në Parlament, por në kufirin e numrave që mund të realizojnë ndryshime Kushtetuese, me shumë pak përpjekje.

Kjo është hera e parë jo vetëm në Shqipëri, por në shumicën e vendeve të Europës, me shumë pak përjashtime, që një politikan mandatohet si Kryeministër për 4 legjislatura parlamentare rradhazi.

Por si pritet të jetë ky mandat i 4-rt, që zyrtarisht nisi në 12 shtator, ditë kur Parlamenti i ri nisi punimet.

Nga 11 maji, ditë kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, deri në momentin kur mori mbështetjen e 82 deputetëve, mes kaosit në sallën e Parlamentit si kreu i qeverisë, Edi Rama e përqëndroi vëmendjen në atë që e konsideron si ‘lufta për çlirimin e territorit nga ndërtimet pa leje’.

E nisi me çadrat dhe shtesat në lokale, për ta vijuar me shembjen e disa godinave në Theth dhe një ndërtimi në Vlorë. Në emër të mbrojtjes së interesit publik, Edi Rama u shfaq jo më si Kryeministri që qeveriste prej 12 vitesh, por si personazhi që kishte zbritur për herë të parë në tokën shqiptare dhe ishte skandalizuar nga ajo që shihte.

Në opinion, i gjithë ky aksion i Edi Ramës përmes policive, IKMT-ve dhe çdo agjencie lokale apo qendrore që komnadohen prej tij, u perceptua si shfaqje e arrogancës, çka duket se ka detyruar Kryeministrin që herë pas here të shfaqet dhe të deklarojë se ‘operacioni’ nuk do të ndalet deri sa t’i jepet fund asaj që e konsideron si ‘pushtim’ i hapësira publike, ose jo.

Në fjalimin e fundit, Edi Rama doli bashkë me dy ministra të tij, atë të Brendshëm dhe të Drejtësisë, që për gati dy orë ishin në rolin e manekinëve, për të kompletuar shfaqjen e Kryeministrit që tashmë flet si ekspert i çdo fushe.

Rama paraqiti rregullat e reja, dhe përgjatë të gjithë fjalimit, u kujdes që të mos ndante fjalët: konfiskime, burg, sekuestrime etj. Pra “Babloku” kaloi nga kërcënimet, kryesisht ndaj ndërtuesve, arkitektëve apo inxhinierëve, por gjithashtu edhe qytetarëve, te konfiskimet e objekteve.

Konfiskimi është një proces që nuk e vendos dot Qeveria, të paktën në sistemet demokratike apo vendet e Unionit, atje ku Edi Rama ka si synim të anëtarësojë vendin brenda 2030. Konfiskimet kalojnë në procedura ligjore, shkallë pas shkalle, pasi në të kundërt kthehemi në 1945, kohë kur në emër të diktaturës së proletariatit u sekuestruan pasuritë e çdokujt që konsiderohej borgjez apo kulak.

Dhe Babloku e di këtë, pavarësisht se mund t’i pëlqejë që krahas rolit të Kryeministrit, kreut të IKMT, kryepolicit, kryegjeneralit, liderit global, etj etj, të luajë edhe rolin e gjyqtarit që firmos fermanët.

Si për t’i shtuar peshën kërcënimeve me konfiskime, Edi Rama nuk harron të kërcënojë me burg. Këtë të fundit në fakt e përdori edhe në mandatin e parë ndaj atyre që nuk paguanin faturat e energjisë.

Në kushtet kur, për shkak edhe të kaosit në sallën e Parlamentit, ku opozita ra në kurthin e ‘Diellës’ shmangu paraqitjen e një programi qeveritar dhe debatin, për sa mund të ishte mbi këtë program, Rama duket se po lançon ditë pas dite idetë e tij, duke krijuar një peisazh më të qartë se si mund të jetë ky mandat i katërt. Ai ka shtuar dozat e arrogancës, por edhe të forcës.

Zhvillimet e muajve të fundit jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por në të gjitha Bashkitë e vendit, treguan se Edi Rama kontrollon gjithçka, madje çdo hallkë në institucionet vendore. Këtë e tregoi kur lëshoi ultimatumin se drejtorët në Bashki, madje edhe nënkryetarët e tyre, duhet të largohen nga detyrat, jo me ‘pushime nga puna’, por të detyrohen të dorëhiqen. Dhe askush nuk pati guximin që ta kundërtojë, qoftë edhe formalisht, ndërsa zyrat u pastruan nga njerëzit që ‘Babloku’ Kryeministër kishte zgjedhur të bënte shembuj për të treguar forcën e tij.

Edi Rama e ka të qartë se përballë ka një opozitë që ende nuk po arrin të ri-organizohet, ndërsa numrat e saj në sallën e Parlamentit janë ‘makijazh’ për të treguar se ka pluralizëm.

Madje nuk nguroi ta përsëriste disa herë në Parlament se nuk ka ndërmend të humbasë kohë as të presë gjatë, nëse opozita nuk do t’i bashkohet të paktën dy prej reformave: atë zgjedhore dhe atë të ndarjes territoriale, pra numrit të Bashkive që do të jenë funksionale.

Edhe këtu opozita do të jetë thjesht si një makijazh, që më shumë do të përdoret në emër të asaj kërkesës së burokratëve ndërkombëtarë për ‘reforma gjithëpërfshirëse’, që në politikën shqiptare, mbyllen në momentet e fundit, përmes pazareve të ngushta.

Edi Rama po eksperimenton, i bindur se çfarëdo që të bëjë, nuk do të shkaktojë reagim që mund t’i rrezikojë kontrollin jo thjesht të karriges si Kryeministër, por të çdo hallke të ‘sulltanatit’. /Pamfleti/

    

 

Lini një Përgjigje