TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Tetor 2025, 00:27

Florjan Binaj hyn në garë për Bashkinë e Tiranës, aktori shpall kandidaturën!

Shkruar nga Pamfleti

Florjan Binaj hyn në garë për Bashkinë e Tiranës,

Aktori i njohur i humorit Florjan Binaj ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke hyrë në garë si një figurë e pavarur dhe “pa ngjyrë politike”. Lajmin ai e bëri publik përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku shpjegon arsyet që e shtynë të hyjë në politikë dhe të sfidojë sistemin e deritanishëm të administrimit vendor.

Nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë që nuk është gjymtyrë e asnjë partie”, shkruan Binaj, duke theksuar se qytetarët e Tiranës kanë nevojë për një drejtues që t’i përfaqësojë si të barabartë dhe jo të ndarë në kampe politike. Ai shton se synon të përmirësojë cilësinë e jetës në kryeqytet dhe t’i rikthejë bashkinë qytetarëve.

“Kam vendosur të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqësuar sa më denjësisht çdo qytetar, me apo pa parti. Asnjë qytet nuk mund t’i shërbejë vetëm palës politike që e drejton”, deklaron aktori.

Në mesazhin e tij, Binaj shprehet se të gjitha partitë politike që duan ndryshimin duhet të bashkohen me këtë nismë, duke besuar tek qytetarët dhe jo tek strukturat partiake. Ai e quan këtë një përpjekje për “të rikthyer besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit”.

Postimi i Florjan Binajt:

Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë.

Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.


Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.
Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit!


Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen.
Faleminderit.

Lini një Përgjigje