
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu lidhur me koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ku bën pjesë edhe forca politike që ai drejton, Partia e Lirisë. Ky koalicion përbëhet nga 26 parti politike dhe do të drejtohet nga Partia Demokratike e Sali Berishës.
Ai ka falenderuar Kryesinë e partisë që votoi marrëveshjen për hyrjen në “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Meta tha se ky koalicion opozitar është gjithëpërfshirës dhe është në funksion të fitores dhe ndryshimit të shumëpritur më 11 maj.
Gjithashtu, Meta u ka bërë thirrje emigrantëve në Diasporë që këto orë të mbetura t’i shfrytëzojë për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PL, i entuziazmuar shprehet se "do të shkulim nga themelet narkoshtetin".
“Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.
U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.
Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje