SHBA ka rikthyer panikun në radhët e pushtetarëve të korruptuar....
Pas ish-kryeministri Sali Berisha, Adriatik Lllallës, Tom Doshit, apo Vangjush Dakos, pritet që të shpallen “non grata” dhe të sanksionohen financiarisht edhe politikanë të tjerë.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka zgjatur efektet e urdhrit ekzekutiv të nxjerrë me 8 qershor 2021, për marrjen e masave ndaj të korruptuarve dhe personave që minojnë demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë urdhër ekzekutiv, 2 vite më parë u shtua edhe Shqipëria në mënyrë specifike, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë bën me dije se urdhri ai do i shtrijë efektet përtej datës 26 qershor 2023.
“Më 8 qershor 2021, nënshkrova Urdhrin Ekzekutiv 14033, i cili zgjeroi fushën e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, të ndryshuar, duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, njofton presidenti i SHBA. Efektet e urdhrit shtyhen me 1 vit.
Urdhri ekzekutiv u nënshkrua më 8 qershor 2021, përmes të cilit hapet rruga e sanksioneve ndaj personave që kërcënojnë paqen sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zonë ose shteti në Ballkanin Perëndimor. “Të gjithë pronat apo interesat mbi pronat që janë në Shtetet e Bashkuara, që vijnë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, ose që vijnë në të ardhmen në pronësi apo në kontroll të një personi në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen: nga asnjë person i përcaktuar nga Departamenti i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit”, thuhet në urdhër.
Por ky urdhër godet drejtpërdrejt zyrtarët e përfshirë në afera korrupsioni. “Ju bllokohen pasuritë personave përgjegjës ose bashkëpunëtorë, ose të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-zyrtar të qeverisë në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, të tilla si keqpërdorimi i pasurive publike, shpronësimi i pasurive private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”, theksohet më tej.
Për SHBA, të korruptuarit janë cenim për sigurinë kombëtare. “Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara", shprehet Biden. /Pamfleti
Lini një Përgjigje