
Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen për arsye personale...
Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme. Elsa Toska në letrën e saj shprehet se largohet për arsye personale.
Me ikjen e Toskës, Gjykata mbetet me 8 anëtarë nga 9 që ka në organikë. Kjo situatë pritet të komplikojë vendimmarrjet pasi në rast të një vendimmarrje me 4 me 4 vota, Kushtetuesja s’mund të dalë me vendim.
Pritet që Gjykata Kushtetuese të dalë më një deklaratë zyrtare.
Që prej vitit 2019, Elsa Toska ishte një prej 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Më parë, Toska ka qenë Këshilltare ligjore prej 12 vitesh në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punonte si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo ka punuar gjithashtu si pedagoge në disa universitete në vend si dhe ka bashkëpunuar në rolin e ekspertet me një sërë organizatash ndërkombëtare.
Kush është Elsa Toska?
Gjyqtjarja Elsa Toska ka lidhur më 05.06.1976 në Kavajë. Është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka marrë titullin "Master" në Studime Europiane në Rektoratin e Tiranës, ndërsa në vitin 2012 gradën shkencore "Doktore e shkencave juridike" në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Në vitet 2000-2006 ka punuar si ndihmëskomisionere/eksperte ligjore pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe në vitet 2006-2007 ka ushtruar profesionin e avokatit. Gjatë periudhës 2007-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Prej vitit 2005 e në vazhdim është lektore e së Drejtës Administrative dhe Kushtetuese në universitete të ndryshme, si dhe trajnere e të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2010, është përfshirë si konsulente ligjore e jashtme në një sërë projektesh të organizmave ndërkombëtare, të lidhura me të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin. Elsa Toska ka qenë pjesë e ekspertëve në 3 grupe pune gjatë Reformës në Drejtësi, përkatësisht për Amendimet Kushtetuese, Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe hartimin e projektligjit për Presidentin e Republikës.
Është autore e disa publikimeve shkencore në formë manualesh apo monografish, ku mund të veçohet monografia "Mbi kontrollin kushtetues të veprimtarisë administrative, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese", si dhe bashkëautore e librit "Kontrolli mbi administratën publike", 2013, tekst akademik i miratuar nga Departamenti i së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Tiranë. Prej vitit 2017 është eksperte e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës. Toska është autore e disa artikujve shkencorë dhe pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit për çështje të drejtësisë kushtetuese. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Lini një Përgjigje